Vrasja e policit në Maliq, Begaj: Policia e Shtetit nuk do të zbrapset, do ta kthejë dhembjen në forcë për të luftuar krimin në çdo skutë

Pas ngjarjes së rëndë në Lozhan të Maliqit, ka reaguar edhe presidenti Bajram Begaj, i cili i shpreh ngushëllime familjes së efektivit Enea Mekolli, i cili mbeti i vdekur gjatë operacionit për arrestimin e Violand Braçellari, i shpallur në kërkim dhe i dënuar në mungesë për afro 10 vite.
Në shkëmbimin e zjarrit mbeti i plagosur edhe efektivi Edison Adri, i cili fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Sakaq, i plagosur ka mbetur edhe autori i ngjarjes.
“Bashkohem thellësisht më dhimbjen për humbjen tragjike të jetës në krye të detyrës të policit Enea Mekolli dhe plagosjen rëndë të kolegut të tij, Edison Adri. I shpreh familjes ngushëllimet dhe solidaritetin më të lartë në emër të shtetit shqiptar në këtë ditë mjaft të rëndë për ta!
I uroj shërim të plotë dhe sa më të shpejtë punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili mbeti i plagosur!
Policia e Shtetit nuk do të zbrapset nga kjo humbje e do ta kthejë dhembjen në forcë e vendosmëri për të luftuar krimin në çdo skutë. Populli shqiptar është masivisht përkrah policisë në mbrojtje të sigurisë dhe rendit publik”, shkruan presidenti Begaj./Periskopi











