Tarifat bankare ‘zhvasin’ qytetarët: Pagesat në sportel deri në 5 euro, shpërthejnë reagimet

Për qytetarët që vazhdojnë të mbështeten në sportelet bankare për kryerjen e pagesave, kostot e shërbimeve financiare janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit.
Bankat në Kosovë kanë shtrenjtuar tarifat për transaksionet e realizuara në degët e tyre, duke e çuar çmimin e një pagese në sportel deri në 5 euro.
Derisa, pagesat përmes aplikacioneve bankare apo platformave online janë shumë më të lira, në disa raste me tarifa simbolike ose pa pagesë.
Kjo çështje ka nxituar reagim nga njohësit e fushës të cilët vlerësojnë se barra më e madhe bie mbi pensionistët dhe qytetarët që nuk përdorin shërbimet elektronike.
Ish-deputeti i PDK-së: Qeveria u jep 100 euro qytetarëve, bankat ua marrin nga 5 euro.
Ish-deputeti i PDK-së, Ferat Shala duke folur për “Front Online” ka kritikuar qeverinë dhe institucionet përgjegjëse për mosveprim ndaj rritjes së tarifave bankare.
Sipas Shalës, situata është veçanërisht e rënduar për kategoritë sociale, të cilat të gjitha pagesat dhe shërbimet i realizojnë përmes sistemit bankar.
Ai përmendi edhe ndihmën e ndarë nga qeveria për 100 euro.
“Është situatë e rënduar, veçanërisht për skemat sociale, të cilat i kryejnë të gjitha shërbimet përmes sistemit bankar. Anomalia më e madhe është se institucionet, përfshirë vetë kryeministrin, në njërën anë ndajnë nga 100 euro për qytetarët, ndërsa në anën tjetër nga 5 euro përfundojnë te sistemi bankar”, deklaroi Shala.
Shala shprehet se Banka Qendrore e Kosovës ka përgjegjësi institucionale për të monitoruar dhe menaxhuar këto politika.
“BQK-ja ka obligim institucional që t’i menaxhojë këto politika ose t’i ndërpresë ato, gjë që nuk po ndodh”,përfundoi Shala.
Dhoma e Tregtisë alarmon për shtrenjtimin e shërbimeve bankare: Po rriten çmimet pa asnjë arsyetim
Përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti në një prononcim ka shprehur shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të çmimeve të shërbimeve nga bankat në Kosovë.
Sipas Ahmetit, bankat kanë nisur rritjen e çmimeve që nga viti i kaluar.
Ai thotë se këtë çështje e kanë adresuar edhe tek guvernatori i BQK-së.
“Rritja e vazhdueshme e çmimeve të shërbimeve të bankave është duke e përcjellë vendin tash e një kohë të gjatë. Që nga viti i kaluar, bankat kanë filluar t’i rrisin çmimet. Ne kemi shprehur shqetësimin tonë edhe te guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës dhe kemi kërkuar që të merren vendime për t’i parandaluar këto rritje”, deklaroi Ahmeti.
Ahmeti shprehet se qytetarët po përballen me barrë të dyfishtë financiare.
“Në njërën anë rritën normat e interesit dhe tjetrën anë rritja e çmimit të shërbimeve dhe ne nuk kemi asnjë arsyetim se pse po ndodh kjo”, ka thënë Ahmeti.
Kreu i OEK-ut: Tarifat bankare nuk janë shqetësuese përderisa shërbimet digjitale mbeten të lira
Ndryshe nga zërat kritikë që kanë shprehur shqetësim për rritjen e tarifave bankare, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna vlerëson se situata nuk paraqet problem të madh përderisa shërbimet digjitale vazhdojnë të jenë të përballueshme.
“Nuk e shohim shumë shqetësuese sepse në bankomat dhe shërbimeve tjera që janë digjitale ato janë më lirë bankat brenda tyre e kanë rregulluar kosto e tyre dhe shpenzimet”, tha ai.
Rafuna thotë për “Front Online” se nuk ka arsye për alarm për sa kohë që tarifat për shërbimet elektronike dhe digjitale nuk pësojnë rritje.
“Derisa nuk shtrenjtohen këto shërbimet digjitale nuk ka ndonjë problem madhor”, shprehet Rafuna.
Ekonomisti Beqiri: Bankat po fitojnë miliona, ndërsa qytetarët paguajnë tarifa të larta
Njohësi i ekonomisë, Lulzim Beqiri ka vlerësuar për se rritja e tarifave bankare në Kosovë po ndodh në një kohë kur sektori bankar po regjistron fitime rekord.
“Rritja e tarifave bankare vjen në një kohë kur sektori bankar në Kosovë po shënon fitime rekord. Vetëm gjatë tre viteve të fundit, bankat kanë realizuar mbi 520 milionë euro fitim neto, që tregon se bëhet fjalë për një sektor shumë fitimprurës”, deklaroi ai.
Beqiri tha se tarifat aktuale konsiderohen të larta për standardin ekonomik të qytetarëve.
“Tarifa prej 5 euro për një pagesë në sportel dhe 70 cent për një tërheqje në bankomat konsiderohen të larta. Këto kosto mund të duken të vogla veçmas, por kur aplikohen vazhdimisht gjatë muajit, ato përbëjnë një barrë shtesë për buxhetin familjar”, theksoi ai.
Ekonomisti nënvizoi se jo të gjithë qytetarët kanë qasje ose mundësi për të përdorur shërbimet elektronike.
“Jo të gjithë qytetarët kanë mundësi të përdorin shërbimet elektronike. Pensionistët, të moshuarit dhe një pjesë e madhe e qytetarëve ende varen nga sportelet bankare për kryerjen e pagesave”, u shpreh Beqiri.
Ai kërkoi një veprim nga institucionet përgjegjëse.
“Institucionet mbikëqyrëse duhet të analizojnë nëse këto tarifa janë të arsyeshme dhe në përputhje me interesin e konsumatorëve”, ka thënë Beqiri.
Sipas të dhënave të publikuara në raportet tremujore të vetë bankave, të ardhurat e pesë bankave kryesore në vend vetëm nga komisionet arritën në 24.6 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti.












