Sokol në PE: Serbia po përpiqet të ngadalësojë rrugën evropiane të Malit të Zi përmes strukturave politike dhe fetare

Serbia po përpiqet në mënyrë sistematike të kufizojë zhvillimin e plotë të sovranitetit të Malit të Zi dhe të ngadalësojë rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian, ka deklaruar eurodeputeti kroat, Tomislav Sokol, gjatë një seance plenare të Parlamentit Evropian.
Sokol tha se Mali i Zi mbetet vendi kandidat më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht vazhdon të përballet me ndikime të dëmshme nga jashtë, të cilat sipas tij vijnë kryesisht nga Serbia.
Sipas tij, përmes strukturave politike, institucioneve fetare dhe përpjekjeve për të ndikuar në proceset e brendshme, Serbia synon të kufizojë zhvillimin e sovranitetit malazez dhe të pengojë përparimin e vendit në rrugën evropiane.
Eurodeputeti kroat paralajmëroi gjithashtu për ato që i quajti “provokime serbomëdha” në Mal të Zi, duke vlerësuar se ato dëmtojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Kroacinë.
Ai theksoi rëndësinë që Mali i Zi të vazhdojë zgjidhjen e çështjeve të hapura me Kroacinë, përfshirë fatin e viktimave të luftës, personat e zhdukur dhe kthimin e pronave.
Sokol nënvizoi se këto tema tejkalojnë marrëdhëniet dypalëshe, pasi lidhen me vlerat themelore evropiane, sundimin e ligjit dhe detyrimet që burojnë nga legjislacioni i Bashkimit Evropian.
Duke folur për reformat e brendshme, ai tha se është e domosdoshme që pushteti dhe opozita në Mal të Zi të arrijnë konsensus për harmonizimin e ligjeve që rregullojnë sektorin e sigurisë me standardet evropiane.
“Institucionet e sigurisë nuk duhet të politizohen dhe as të shërbejnë interesave të një force të vetme politike”, deklaroi ai.
Në fund, Sokol shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, duke theksuar se dëshiron ta shohë vendin si një shtet evropian, demokratik dhe sovran që vendos vetë për të ardhmen e tij./Periskopi/












