SHBA-ja e paralajmëron finalizimin e marrëveshjes me Iranin këtë fundjavë

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent paralajmëroi se marrëveshja në mes Iranit dhe SHBA-së për ndaljen e luftimeve mund të finalizohet këtë fundjavë. Bessent u bë figura e fundit nga administrata Trump që foli për marrëveshjen e mundshme të paqes me Iranin.
Në një intervistë për Fox News, Bessent tha se “ndoshta që këtë fundjavë ose të hënën, do të jemi në anën tjetër të kësaj çështjeje”.
Bessent shtoi se marrëveshja do të rezultojë në çmime më të ulëta të energjisë për amerikanët, duke u shprehur i bindur se koha sfiduese do të kalojë.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha të premten se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rënë dakord për formulimin e një marrëveshjeje që synon t’i japë fund luftës së tyre në Lindjen e Mesme dhe se ndërmjetësit po punojnë me të dyja palët për të finalizuar marrëveshjen. Ai tha se Pakistani, i cili ka marrë drejtimin në përpjekjet e ndërmjetësimit, po punon me vendet ndërluftuese për hapat e mëtejshëm.
Përparimi i dukshëm në negociata vjen pasi Irani shkëmbeu zjarr me SHBA-në dhe Izraelin gjatë tre ditëve këtë javë, duke kërcënuar ta kthejë Lindjen e Mesme në një luftë të plotë.












