Rubio: Bisedimet e ardhshme me Iranin në nivel ekspertësh, nisin më 30 qershor

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar të mërkurën se bisedimet e ardhshme me Iranin do të mbahen në nivel ekspertësh.
Këto deklarata Rubio i ka bërë duke vizituar Kuvajtin, pasi më parë ka qëndruar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein.
Ai ka thënë se këto takime do të jenë si pjesë e negociatave të vazhdueshme dhe në to do të ketë grupe pune dhe tema të ndryshme.
Rubio ka theksuar se beson se ato do të fillojnë më 30 qershor, raporton CNN.
“Ka individë nga Departamenti i Shtetit që do të përfshihen në këto bisedime, së bashku me njerëz nga Departamenti i Energjisë, e kështu me radhë. Ky është niveli teknik”, ka thënë ai gazetarëve në Kuvajt.
Diplomati më i lartë amerikan ka shtuar se inspektorët bërthamorë duhet të lejohen në Iran “sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Ky është një angazhim (i Iranit) i marrë dhe është një angazhim që ata duhet ta mbajnë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, duke folur për vizitën e tij në vendet e Gjirit Persik, Rubio ka thënë se SHBA-ja nuk do të minojë aleatët e saj në negociatat me Iranin.
Diplomati më i lartë amerikan ka deklaruar se ata as nuk kishin nevojë të flisnin për garancitë e sigurisë, sepse sipas tij, ato janë reale. /Periskopi











