Princi William bëhet zyrtarisht miliarder, pasuria e tij tejkalon atë të Mbretit Charles

Princi William, trashëgimtar i fronit britanik, ka një pasuri neto prej 1.6 miliardë dollarësh, sipas llogarive të reja vjetore nga Granti Sovran, duke tejkaluar babanë e tij, Mbretin Charles III.
William e mori këtë shumë falë Dukatit të Cornwall-it, një pronë private mbretërore që ai mori në vitin 2022, kur Charles u bë mbret. Sipas të dhënave të publikuara, William kishte të ardhura private prej 28.5 milionë dollarësh në vitet 2025-2026, dhe që kur u bë Princ i Uellsit, thuhet se ka paguar më shumë se 26 milionë dollarë në taksa.
Ndryshe nga ai, Charles ende nuk e ka arritur statusin e miliarderit. Sipas listës më të fundit të të pasurve të Sunday Times, pasuria personale e mbretit 77-vjeçar u vlerësua në 846 milionë dollarë, që është pothuajse 40 milionë dollarë më shumë se një vit më parë.
Dukati i Cornwall-it është burimi kryesor i të ardhurave të William dhe mbulon aktivitetet zyrtare, bamirëse dhe private të tij, Kate Middleton dhe tre fëmijëve të tyre. Pasuria u krijua në vitin 1337 nga Mbreti Edward III për të siguruar të ardhura për trashëgimtarin e fronit dhe sot përfshin rreth 205 milje katrorë tokë në më shumë se 20 qarqe në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas gazetës Times, William planifikon të shesë 20 përqind të Dukatit në dhjetë vitet e ardhshme për të kanalizuar më shumë se 670 milionë dollarë në projekte strehimi dhe ruajtjeje të natyrës në zonat Cornwall, Dartmoour, Ishujt Scilly, Bath dhe Kennington.
“Ka kaq shumë gjëra të mira që mund të bëjmë. Mundohem të sigurohem që t’i jap përparësi gjërave që do të përmirësojnë jetën e njerëzve që jetojnë në këto zona.“, tha ai.











