Nis gjykimi: I dyshuari për spiunazh, Hysri Selimi s’e pranon fajin

Në Gjykata Themelore në Prishtinë po mbahet seanca e parë e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit për spiunazh, Hysri Selimi.
Siç raporton “Gazeta Express”, pas leximit të aktakuzës, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm duke mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Kujtojmë se Hysri Selimi u arrestua më 6 maj të vitit të kaluar, prangosje e cila u pësua si rezultat i një hetimi të gjerë dhe të thelluar nga Prokuroria Speciale, që përfshinte edhe masa të veçanta hetimore të zbatuara për disa muaj.
Po ashtu, emri i Hysri Selimit nuk është i panjohur për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Më datë 23.11.2015 me përgatitje paraprake së bashku me familjen kishte lëshuar territorin e Republikës së Kosovës me destinacion Sirinë, për t’iu bashkëngjitur ISIS-it.
Sipas aktakuzës së ngritur në atë kohë nga Prokuroria, Selimi ishte i angazhuar në Byronë e ushtarëve të plagosur të ISIS-it, për çka edhe ishte paguar rregullisht nga kjo organizatë, me shumën e të hollave prej 100 USD në muaj.
Ai u riatdhesua në Kosovë më 28 maj 2022, ku më pas u përball me proces gjyqësor për çka edhe u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite e 8 muaj, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01.08.2018.











