Komandanti i KFOR-it: Dezinformimi dhe retorika nxitëse kanë ndikim të drejtpërdrejtë në situatën e sigurisë

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajori Ozkan Ullutash, ka deklaruar se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë dhe se aktualisht nuk ka tregues për kërcënime të drejtpërdrejta ndaj sigurisë, megjithëse ka paralajmëruar se tensionet e pazgjidhura, retorika nxitëse dhe dezinformimi vazhdojnë të paraqesin sfida që kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme.
Ullutash tha se KFOR-i mbetet plotësisht i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo përkeqësimi të mundshëm të situatës, duke theksuar se misioni i NATO-s është i pajisur, i trajnuar dhe i pozicionuar për të reaguar shpejt në rast nevoje.
Duke folur për situatën në veri, për Telegrafin, komandanti i KFOR-it vlerësoi se aktualisht gjendja është e qetë dhe se nuk janë regjistruar incidente të ngjashme me ato të vitit 2023, por nënvizoi se misioni nuk po e ul vigjilencën për shkak të çështjeve të pazgjidhura dhe ndikimit që mund të kenë dezinformimi dhe retorika e papërgjegjshme në terren.
“Aktualisht, situata e sigurisë në veri të Kosovës është gjithashtu e qetë. Nuk kemi parë incidente të ngjashme të sigurisë që nga viti 2023. Pas aktit të papranueshëm të dhunës të kryer kundër paqeruajtësve të KFOR-it dhe gjithashtu paqeruajtësve në Zveçan dhe gjithashtu personelit të Policisë së Kosovës në Banjskë. Por siç kam thënë më parë, ka çështje të pazgjidhura, retorikë jo të dobishme herë pas here, dhe gjithashtu dezinformim të përsëritur. Të gjitha këto aspekte të kombinuara kanë ndikim të drejtpërdrejtë në situatën e sigurisë. Prandaj, ne nuk po e ulim vigjilencën”.
Ai theksoi se KFOR-i vazhdon koordinimin e ngushtë me institucionet e sigurisë në Kosovë, EULEX-in dhe autoritetet përkatëse në rajon, ndërsa përsëriti se stabiliteti afatgjatë në Kosovë nuk mund të arrihet përmes zgjidhjeve ushtarake, por përmes dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Në fakt, që nga mandati im i parë në krye të KFOR-it, situata e përgjithshme e sigurisë në gjithë Kosovën nuk ka ndryshuar ndjeshëm. Ajo është përgjithësisht e qetë. Nuk ka tregues, që tregojnë për rrezik të sigurisë apo kërcënime të drejtpërdrejta ndaj një mjedisi të sigurt dhe të qetë. Duke thënë këtë, ende ka një numër çështjesh të pazgjidhura që duhet t’i marrim parasysh. Pra, ne duhet të jemi vigjilentë, në thelb. Dhe kjo është ajo që KFOR-i bën çdo ditë duke mbajtur një prani të dukshme dhe fleksibile në terren përmes patrullimeve të rregullta, vendosjes së pikave të vëzhgimit dhe angazhimeve me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve lokale për të siguruar ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”./ Periskopi/











