Kurti thotë se pas certifikimit të rezultateve do t’i fillojë “menjëherë” komunikimet për formimin e institucioneve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se do të presë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit për të nisur më pas “menjëherë” komunikimet për formimin e institucioneve të reja.
“Porsa të certifikohet rezultati, fillojmë komunikimet menjëherë”, tha ai në një përgjigje për gazetarët që e pyetën për këtë.
Kosova mbajti zgjedhjet e treta parlamentare në rreth një vit e gjysmë dhe tani duhet ta zgjedhë Presidentin e ri. Sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, ky proces duhet të nisë menjëherë, me t’u konstituuar Kuvendi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon që certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit ta bëjë deri më 6 korrik. Sipas Kushtetutës së vendit, seanca konstituive duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.











