KRU “Prishtina” paralajmëron qytetarët për një tentativë të dyshuar mashtrimi përmes SMS-ve

KRU Prishtina ka paralajmëruar konsumatorët që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mesazheve të dyshuara mashtruese që po qarkullojnë së fundmi nga një numër i panjohur telefonik.
Përmes një njoftimi publik, kompania ka bërë të ditur se mesazhet që dërgohen nga numri +639605610623 nuk janë komunikime zyrtare të KRU “Prishtina” dhe nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetin apo shërbimet e saj.
Sipas njoftimit, qytetarët që pranojnë mesazhe nga ky numër këshillohen t’i injorojnë ato dhe të mos ndërmarrin asnjë veprim në bazë të përmbajtjes së tyre.
Kompania ka theksuar se ekzistojnë dyshime të forta se bëhet fjalë për një tentativë mashtrimi, me qëllim që qytetarëve t’u merren informacione personale ose të dhëna të ndjeshme.
Për këtë arsye, KRU “Prishtina” u ka bërë thirrje konsumatorëve që të mos ndajnë të dhëna personale, informata bankare, fjalëkalime apo çfarëdo informacioni tjetër konfidencial përmes mesazheve të tilla.
“Ky numër nuk i përket KRU ‘Prishtina’ dhe mesazhet e dërguara prej tij nuk janë komunikime zyrtare të kompanisë sonë. Dyshohet se bëhet fjalë për një tentativë mashtrimi”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Në fund, KRU “Prishtina” ka rikujtuar se të gjitha informacionet zyrtare për konsumatorët publikohen vetëm përmes kanaleve të saj zyrtare të komunikimit, duke u bërë thirrje qytetarëve të verifikojnë çdo njoftim para se të përgjigjen apo të japin të dhëna personale.










