Kevin De Bruyne hyn në historinë e Belgjikës, arrin një rekord në Kupën e Botës

Mesfushori belg, Kevin De Bruyne shënoi në fitoren bindëse 5-1 ndaj Zelandës së Re dhe u bë futbollisti i parë në historinë e Belgjikës që realizon gola në tri edicione të ndryshme të Kupës së Botës.
De Bruyne vazhdon të shkruajë historinë me fanellën e Belgjikës. Mesfushori i njohur vendosi një rekord të ri në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Kupës së Botës 2026, ku kombëtarja belge mposhti Zelandën e Re me rezultat 5-1.
Ylli i Napolit e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 66-të, duke vulosur edhe një paraqitje të shkëlqyer të Belgjikës në turne. Megjithatë, goli i tij kishte një rëndësi shumë më të madhe sesa thjesht rezultati i ndeshjes.
Me këtë realizim, 35-vjeçari u bë lojtari i parë në historinë e kombëtares belge që shënon në tri Kupa të ndryshme Bote.
Ai kishte realizuar nga një gol edhe në edicionet e vitit 2014 dhe 2018, ndërsa tani e zgjeroi këtë rekord edhe në Botërorin e vitit 2026.
Ky sukses është një tjetër dëshmi e vazhdimësisë dhe ndikimit të De Bruynes në futbollin belg, ku prej më shumë se një dekade ka qenë një nga figurat kryesore të “Djajve të Kuq” dhe një nga mesfushorët më të mirë të brezit të tij. /Telegrafi/











