Ishte dënuar me 10 vjet burgim, Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj të akuzuarit për krime lufte Shaqir Lutvija

Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Shaqir Lutvija ishte dënuar me 10 vjet burgim për krime lufte. Kështu, rasti është kthyer në rigjykim.
Themelorja më 11 nëntor 2025 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Lutvija, duke e dënuar me 10 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“APROVOHET si e bazuar ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit Shaqir Lutvija, avokatës Jovana Filipovic, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.77/24, i datës 10.12.2025 ANULOHET, dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendim”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sipas vendimit të Apelit të 23 qershorit 2026, të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit, deri në vendimin ardhshëm nga Themelorja.
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtësja e Lutvijës, avokatja Jovana Filipoviq, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi sanksionin penal.
Filipoviq kishte propozuar që Apeli ta anulojë aktgjykkmin e Themelores dhe lëndën ta kthejë në rigjykim para një trupi tjetër gjykues ose ta ndryshojë aktgjykimin dhe të akuzuarin Lutvija në mungesë të provave ta lirojë nga akuza.
Pëgjigje në ankesë kishte paraqitur Prokuroria Speciale, duke propozuar të refuzohet ankesa e mbrojtjes dhe të vërtetohet aktgjykimi i Themelores. Ngjashëm kërkoi edhe Prokuroria e Apelit me parashtresë.
Apeli gjeti se vendimi i Themelores është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sipas Apelit, aktgjykimit i mungojnë arsyet lidhur me faktet vendimtare, nuk janë dhënë arsye të qarta dhe të mjaftueshme lidhur me kundërthëniet në deklarimet e dëshmitarëve, dhe nuk është arsyetuar mjaftueshëm roli i të akuzuarit në veprimet e përshkruara në dispozitiv. Ndërsa, thuhet se në disa pjesë arsyetimi është në kundërshtim me vetë dispozitivin e aktgjykimit.
Apeli gjen se vendimi i ankimuar është i përfshirë edhe në shkelje që kanë të bëjnë me vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Aty thuhet se mbetet e paqartë se cilat veprime i janë atribuar të akuzuarit, në cilën cilësi ka vepruar, ndaj cilëve të dëmtuar ka marrë veprime dhe në cilën periudhë, dhe si është manifestuar bashkëkryerja.
Apeli vlerëson se dispozitivi i aktgjykimit përmban përshkrim të përgjithësuar të veprimeve inkriminuese.
“…nga arsyetimi i aktgjykimit nuk rezulton se gjykata e shkallës së parë ka konkretizuar në mënyrë të mjaftueshme se cilat nga këro veprime i ka ndërmarrë i akuzuari Shaqir Lutvija, në raport me cilët të dëmtuar janë kryer ato veprime dhe me cilat prova është vërtetuar pjesëmarrja e tij konkrete”, thuhet në vendim.
Arsye të qarta e të mjaftueshme, Apeli thotë se Themelorja nuk dha as lidhur me pretendimet se i akuzuari keqtrajtoi të dëmtuarit duke u vendosur mjete të rrymës elektrike në organet gjenitale.
Arsye të mjaftueshme, sipas Apelit, vendimi i Themelores nuk dha as për ndërlidhjen e të akuzuarit me vdekjen e viktimës R.J.
Shkalla e dytë thekson se vendimi i Themelores ka kundërthënie edhe lidhur me cilësinë me të cilën ka vepruar i akuzuari, pasi në dispozitiv thuhet se punoi si inspektor, e në arsyetim thuhet nuk ka punuar inspektor.
Në vendim thuhet se Themelorja është mjaftuar me konstatim të përgjithësuar, pa u ndalur dhe pa analizuar veç e veç kundërthëniet konkrete që rezultojnë nga deklarimet e deshmitarëve të dhëna gjatë fazave të ndryshme të procedurës, si dhe kundërthëniet që paraqiten ndërmjet vetë deklarimeve të dëshmitarëve.
Kolegji rikujton se deklarimet e dëshmitarëve nuk mund të vlerësohen në mënyrë të izoluar, por besueshmëria, saktësia dhe vërtetësia e tyre duhet të çmohen pas një vlerësimi të tërësishëm të deklarimeve të dhëna gjatë procedurës”, thuhet në vendim.
Në rigjykim, Apeli thekson se Themelorja duhet ta caktojë sërish shqyrtimin gjyqësor, të eliminojë të gjitha shkeljet e konstatuara në këtë vendim dhe, pas administrimit të plotë të provave, të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit.
Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.
Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.
Me këtë, Lutvija po akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.











