Hykmete Bajrami sërish kërkon dorëheqjen e Abdixhikut: Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në parti dhe kërkesave për përgjegjësi politike pas rezultatit në zgjedhje.
Ajo tha se LDK-ja duhet të mbajë zgjedhje të brendshme dhe të reflektojë për rezultatet zgjedhore.
“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme. E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme. Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë”, ka shkruar ajo.
Ajo ka përmendur edhe Kuvendin e fundit të LDK-së, duke theksuar se rreth 45 për qind e delegatëve ishin deklaruar në favor të dorëheqjes së kryetarit,.
“Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim. Më pas, LDK-ja mbajti Kuvendin e partisë, ku kryetari e vendosi mandatin e tij në votim. Aty, rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së tij. Ky ishte një tregues i qartë se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme. Por kryetari vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend. Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë”, tha ajo.
Bajrami shtoi se LDK ka nevojë për reflektim dhe përgjegjësi.
“Qëndrimi im nuk ka ndryshuar. LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve. LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh!”, ka shkruar ajo.











