Fitim Havolli kërkon mbështetjen e profesionistëve shëndetësorë: Zëri ynë duhet të përfaqësohet në Kuvend

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Fitim Havolli, u ka bërë thirrje profesionistëve shëndetësorë që ta mbështesin në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar nevojën për përfaqësim më të fuqishëm të sektorit të shëndetësisë në institucionet e vendit.
Përmes një postimi publik, Havolli iu drejtua infermierëve, mjekëve, mamive, fizioterapeutëve, laborantëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë, duke kujtuar angazhimin e përbashkët ndër vite për ngritjen e zërit kundër padrejtësive dhe mungesës së vlerësimit në sistemin shëndetësor.
Ai theksoi se profesionistët shëndetësorë përbëjnë shtyllën kryesore të sistemit shëndetësor në Kosovë dhe një forcë të madhe prej rreth 15 mijë punonjësish, duke vlerësuar se zëri i tyre shpesh është anashkaluar në proceset vendimmarrëse.
“Ka ardhur koha që zëri ynë, shpesh i anashkaluar dhe i padëgjuar, të përfaqësohet denjësisht në institucionet e Kosovës”, ka shkruar Havolli.











