Daut Haradinaj viziton babain e Mujë Krasniqit: Familja Krasniqi, simbol i qëndresës dhe sakrificës kombëtare

Kandidati për deputet nga Aleanca, Daut Haradinaj, ka vizituar sot në Klinë, babain e heronjve Mujë dhe Ali Krasniqi, pas daljes së tij nga spitali.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se çdo takim me Bacë Lilë ia rikthen në kujtesë rrugën e gjatë dhe të përgjakshme të sakrificës për liri, duke kujtuar figurat e heronjve Mujë dhe Ali Krasniqi.
“Sot isha në Klinë për ta vizituar plakun e Mujë e Ali Krasniqit, pas daljes nga spitali. Rruga jonë e gjatë dhe e përgjakshme ma rikthen në kujtesë Mujën e Alinë sa herë që përballem me jetën plot sakrifica të Bacës Lilë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka vlerësuar lart familjen Krasniqi nga Qabiqi, duke theksuar rolin e tyre të jashtëzakonshëm në luftën çlirimtare.
Sipas Haradinajt, Bacë Lilë dhe Dada Sheide rritën 12 fëmijë, pesë vajza dhe shtatë djem, ndërsa lufta e fundit, siç ka thënë ai, do të ishte e paimagjinueshme pa këtë familje dhe pa Heroin e Kosovës, Mujë Krasniqi.
“Jetofsh gjatë Baca Lilë, bashkë me familjen tuaj të shenjtë! Për mua, ju jeni simbol i qëndresës, sakrificës dhe krenarisë sonë kombëtare”, ka përfunduar Haradinaj në reagimin e tij.











