Arsyetimi i Ministrisë nuk qëndron - Samiti i NATO-s ftoi edhe shtete që s’janë anëtare, Kosova nuk mori ftesë

“S’jemi të ftuar, s’jemi ende anëtarë” – me këtë arsyetim ministria e Mbrojtjes së Kosovës tentoi të justifikojë mospjesëmarrjen e Kosovës në samitin e ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në Turqi.
Megjithatë, faktet hedhin dyshime mbi këtë arsyetim.
Ndonëse Kosova nuk është anëtare e NATO-s, mungesa e saj në këtë samit nuk mund të shpjegohet vetëm me statusin e saj jashtë Aleancës. Kjo për shkak se, përveç 32 shteteve anëtare, NATO ka ftuar edhe disa vende që nuk janë pjesë e Aleancës, ndërsa Kosova nuk figuron në mesin e tyre.
Samiti i NATO-s do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë dhe pritet të mbledhë liderët e vendeve anëtare, si dhe përfaqësues të shteteve partnere që konsiderohen të rëndësishme për sigurinë globale.
Sipas informacioneve të publikuara, ndër vendet joanëtare të ftuara janë:
Ukraina
Japonia
Koreja e Jugut
Australia
Zelanda e Re
Mungesa e Kosovës në këtë listë ngre pikëpyetje për pozicionin dhe trajtimin që i bëhet vendit në raport me Aleancën, veçanërisht në një kohë kur autoritetet kosovare vazhdojnë ta konsiderojnë integrimin euroatlantik si një nga prioritetet kryesore strategjike.
Në samitin e Ankarasë pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Takimi zhvillohet në një periudhë kur NATO po përballet me sfida të reja, të nxitura edhe nga ndryshimet në politikën amerikane ndaj aleatëve dhe kërkesat për rritjen e përgjegjësive të vendeve evropiane në fushën e mbrojtjes.
Temat kryesore të samitit do të përfshijnë planifikimin e mbrojtjes dhe parandalimit (deterrencës), objektivat për shpenzimet e mbrojtjes dhe ndarja e barrës mes aleatëve, mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën, përfshirë dërgimin e pajisjeve, mekanizmat e financimit dhe forcimin afatgjatë të rezistencës, si dhe drejtimi i ardhshëm i Aleancës.
Ky do të jetë samiti i 36-të i NATO-s dhe i dyti i organizuar nga Turqia, pas atij të vitit 2004 në Stamboll.











