Vetëm tri javë para zgjedhjeve, dështon tenderi i KQZ-së për kabinat e votimit

Vetëm tri javë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dështuar të përmbyllë një nga furnizimet bazike për procesin zgjedhor – blerjen e kabinave të votimit. Tenderi është anuluar zyrtarisht më 14 maj, pasi oferta e vetme e pranuar ka rezultuar mbi buxhetin e paraparë nga KQZ-ja, raporton Periskopi.
Mos furnizimi me kabina, mund të krijojë telashe serioze në organizimin logjistik të procesit zgjedhor, pasi koha për ritenderim dhe përfundim të procedurave të reja të prokurimit tashmë është shumë e kufizuar. Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara nga KQZ-ja, tenderi me titull “Furnizim me Kabina të Votimit” është anuluar për shkak se oferta e vetme e dorëzuar e ka tejkaluar buxhetin e autoritetit kontraktues. Sipas dokumenteve zyrtare, vlera e parashikuar e këtij tenderi ka qenë 15 mijë euro. Megjithatë, operatori i vetëm ekonomik që ka marrë pjesë në procedurë ka ofertuar me 21 mijë e 948 euro, duke e tejkaluar ndjeshëm buxhetin e planifikuar nga KQZ-ja.



Në njoftimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit thuhet se procedura është ndërprerë në bazë të dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik, pasi oferta e pranuar ishte më e lartë sesa fondet e planifikuara nga KQZ-ja për këtë furnizim, raporton Periskopi.
Tenderi ishte hapur për furnizim me kabina votimi, të cilat janë ndër elementet kryesore të infrastrukturës zgjedhore, pasi përdoren në çdo qendër votimi për garantimin e fshehtësisë së votës. Në dokumentet e publikuara nuk është specifikuar numri i saktë i kabinave që planifikohej të bliheshin.

Situata bëhet më problematike për shkak të afatit shumë të shkurtër deri në ditën e zgjedhjeve. Duke qenë se vendimi për anulim është marrë më 14 maj dhe zgjedhjet do të mbahen më 7 qershor, KQZ-së i mbeten më pak se katër javë për të nisur dhe përfunduar një procedurë të re prokurimi.
Anulimi i këtij furnizimi vjen në një moment të ndjeshëm për organizimin e zgjedhjeve, pasi përgatitjet teknike dhe logjistike duhet tashmë të jenë të përfunduara./Periskopi/












