Konjufca: Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua, por ajo përmban angazhime

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Dubrovnikut, tha se Kosova kishte qenë e gatshme ta nënshkruante Marrëveshjen e Ohrit, por sipas tij, kjo ishte refuzuar nga Serbia.
Duke komentuar deklaratën e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, se Marrëveshja e Ohrit mbetet valide dhe duhet të respektohet, Konjufca tha se fillimisht ishte pritur që marrëveshja të nënshkruhej.
“Sa i përket dialogut me Serbinë dhe marrëveshjes, mendoj se ne shpresuam se kishim një marrëveshje. Ajo nuk u nënshkrua, megjithëse ne ishim të gatshëm ta nënshkruanim. Kryeministri ynë Albin Kurti, e shprehu qartë gatishmërinë e tij për ta nënshkruar këtë marrëveshje. Por ajo u refuzua, mendoj, nga Serbia”, tha ai.
Ai tha se pas refuzimit të nënshkrimit nga Serbia, ndërmjetësit u përballën me një situatë të re dhe e trajtuan marrëveshjen si një “gentlemen’s agreement”.
“Ky ishte momenti kur edhe ndërmjetësit filluan të mendonin se si do të përshtateshin me këtë situatë të re, sepse fillimisht marrëveshja nuk ishte konceptuar në këtë mënyrë. Më vonë ajo u trajtua si një marrëveshje në këtë status. Në një farë mënyre kishte formën e një marrëveshjeje mes zotërinjsh (“gentlemen’s agreement”), ishte me shkrim, por pa nënshkrim, megjithatë përmbante angazhime, siç shpjegoi zoti Sorensen”, tha ai.
Konjufca theksoi se Kosova nuk ishte e kënaqur me këtë qasje, duke vlerësuar se dokumenti duhej të merrte formën e një marrëveshjeje ndërkombëtare me detyrime të qarta ligjore për zbatim.
“Ne nuk ishim të kënaqur me këtë. Mendonim se duhej të ishte një marrëveshje ndërkombëtare, e cila vendos detyrime të qarta ligjore për zbatim. Në fund, ndërmjetësit e publikuan tekstin në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe deklaruan se kjo është marrëveshje dhe se palët duhet ta zbatojnë”, tha Konjufca.











