Arrestohen dy persona për sulmin ndaj Mehanit në Skenderaj

Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se përkitazi me rastin e sotëm në Skënderaj, ku si pasojë e sulmit fizik, lëndime të lehta trupore kanë pësuar dy persona me iniciale H.M., dhe B.Z., prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka qëndruar gjatë tërë ditës në Skënderaj, ku së bashku me policinë janë mbledhur prova relevante lidhur me rastin.
Po ashtu, janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”.
Ndërkaq, dy (2) të dyshuar tjerë për këtë rast me iniciale S.L., dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim.
Ndryshe kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, ndodhet në mjekim nga incidenti i sotëm në një kafene në këtë qytet.
Kujtojmë se gjatë ditës u raportua se LVV dhe vetë ai kanë akuzuar për sulm Sami Lushtakun dhe mbrojtjen e tij, ndërsa prokuroria është vënë në lëvizje.
Vet Mehani pas sulmit ka reaguar me një status në Facebook duke thënë se i është “marrë telefoni personal”.
Derisa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku është deklaruar për rastin duke thënë se është quajtur “Sami Serbia”, nga vetë Mehani dhe se qytetarët nuk e kanë duruar./Periskopi/












