Kërkesë e çuditshme e Kreshnik Radoniqit në prag të zgjedhjeve: Jo 10, por të votohen 5 ose 3 kandidatë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka dërguar Kuvendit të Kosovës një njoftim zyrtar me rekomandime për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Në letrën e datës 24 prill 2026, drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, thekson se pas analizës së zgjedhjeve të fundit, janë identifikuar sfida […]
Në letrën e datës 24 prill 2026, drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, thekson se pas analizës së zgjedhjeve të fundit, janë identifikuar sfida në organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor.
Një nga rekomandimet kryesore është ulja e numrit të votave preferenciale për kandidatët.
Aktualisht, qytetarët mund të votojnë deri në 10 kandidatë, ndërsa KQZ propozon që ky numër të reduktohet në 5 ose 3.
Sipas KQZ-së, një numër i lartë i votave preferenciale e komplikon procesin e numërimit, e ngadalëson atë dhe rrit mundësinë për gabime dhe manipulime. Po ashtu, kjo paraqet vështirësi edhe për vetë votuesit.
KQZ thekson se ndryshimet janë të nevojshme sidomos në rast të zgjedhjeve të reja të parakohshme, duke marrë parasysh edhe afatet kushtetuese.
Rekomandimet janë miratuar me vendim të KQZ-së dhe tashmë i janë përcjellë Kuvendit për shqyrtim të mëtejmë.


Cakolli: Rregullat zgjedhore nuk ndryshohen në prag të zgjedhjeve
Përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka reaguar ndaj rekomandimit të KQZ-së për uljen e numrit të votave preferenciale për kandidatët.
Ai tha se reduktimi i numrit të kandidatëve për të cilët mund të votojnë qytetarët – nga 10 në 5, 3 apo edhe 1 – duhet të trajtohet si pjesë e një reforme të mirëfilltë zgjedhore, por jo në prag të zhvillimeve politike.
Sipas Cakollit, asnjë ndryshim substancial nuk duhet të propozohet vetëm disa ditë para një skenari eventual për zgjedhje, e aq më pak që një iniciativë e tillë të vijë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucion i cili, sipas tij, nuk ka mandat të merret me afatet kushtetuese apo momentin politik.
“Është e vërtetë që reduktimi i votimit lidhet drejtpërdrejt me problemet e evidentuara në numërim dhe administrim, por ka edhe shumë çështje të tjera që kërkojnë trajtim në kuadër të reformës zgjedhore’’, theksoi ai.
Cakolli shtoi se fokusimi vetëm në një element në këtë fazë e zbeh seriozitetin e procesit, duke kërkuar që çdo reformë të bëhet përmes një procesi të mirëfilltë, me analiza dhe konsultime të gjera.
Ai rikujtoi edhe standardet e Komisioni i Venecias, sipas të cilave elementet themelore të legjislacionit zgjedhor nuk duhet të ndryshohen më pak se një vit para zgjedhjeve, në mënyrë që të ruhet stabiliteti dhe besimi në proces.
Ai theksoi se KQZ-ja mund të adresojë vetëm mangësitë teknike dhe procedurale, brenda kuadrit aktual ligjor, duke përfunduar se: “Rregullat e zgjedhjeve nuk mund dhe nuk duhet të ndryshohen kur zgjedhjet janë në prag”.
Ilir Gashi kundër propozimit të KQZ-së: Nuk është në kompetencën tonë të ndryshojmë numrin e kandidatëve
Anëtari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ilir Gashi, ka reaguar ndaj dokumentit të dërguar në Kuvend nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Gashi ka sqaruar se dokumenti në fjalë buron nga konkluzionet e një punëtorie për mësimet e nxjerra nga procesi zgjedhor, ndërsa ka theksuar se prioritet i KQZ-së për vitin 2026 mbetet projekti për skanimin dhe leximin biometrik të fletëvotimeve.
Ai është shprehur kundër propozimit për ndryshimin e ligjit sa i përket numrit të kandidatëve që mund të votohen në fletëvotim, duke theksuar se nuk e ka mbështetur këtë ide.
“E konsideroj se nuk është në kompetencën e KQZ-së të përcaktojë këtë çështje ligjore dhe politike. Prandaj, kam refuzuar që ai të përfshihet si çështje e dalë nga KQZ”, ka deklaruar Gashi.
Sipas tij, administrimi i procesit zgjedhor nuk duhet të reduktohet vetëm në numrin e kandidatëve, pasi problematikat janë më të gjera dhe lidhen me funksionimin dhe menaxhimin e procesit.
Gashi ka kritikuar edhe performancën e brendshme të disa hallkave të KQZ-së, duke theksuar se “paaftësia në menaxhim nuk mund të fajësojë mënyrën e votimit, por mënyrën e administrimit të tij”.












