Prattipati: Kosova e kupton vlerën e sovranitetit

Posta e Kosovës ka lansuar emisionin e ri të pullave postare kushtuar 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë një ceremonie të mbajtur në Prishtinë.
Në këtë ngjarje, zëvendësshefja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka vlerësuar Kosovën për kuptimin e vlerës së sovranitetit dhe demokracisë, duke e cilësuar këtë nismë si një simbol të miqësisë mes dy vendeve.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar pullën postare si një simbol të kësaj miqësie.
Ai ka theksuar se, përtej shënimit të jubileut amerikan, kjo pullë përfaqëson afirmimin e raporteve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen vendimtare që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në proceset shtetndërtuese.
“Mirëpo edhe përtej kësaj date të rëndësishme, kjo pullë shërben për një afirmim simbolik të partneritetit të fortë dhe raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve tona. Mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën ka qenë vendimtare në proceset tona shtetndërtuese dhe në konsolidimin e institucioneve demokratike, dhe kjo përkrahje vazhdon të luajë një rol jetik në sigurinë dhe në zhvillimin e vendit tonë. Të nderuar të pranishëm, kur pasardhësit tanë ta festojnë me 4 korrik 2076 përvjetorin e 300-të të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne mbase nuk do të jemi, e mbase edhe pullat postare s’do të jenë. Por një gjë është e sigurt, aleanca jonë, partneriteti midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të jetojë, po aq i fortë dhe i qëndrueshëm sikurse që është edhe sot”, theksoi Albin Kurti.
Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, zëvendësshefja e misionit, Anu Prattipati, ka falënderuar Postën e Kosovës për këtë nismë, duke e cilësuar atë si një nder për popullin amerikan.
“Pranimimi i kësaj pulle nga Kosova sot përbën një nder për ne. Çdo shkronjë e cila gjendet aty përcjell një histori të lirisë dhe miqësisë mes nesh. Postës së Kosovës dua t’ju them se keni krijuar diçka që do të qëndrojë për shumë mot. Vite pas ditës së sotme, njerëzit, qytetarët do e shikojnë këtë pullë postare dhe do ta kujtojnë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar së bashku për liri. Si Amerikë, ndërsa po shënon 250-vjetorin e pavarësisë, ne e shpërfaqim mirënjohjen për aleatët tanë siç është Kosova, një komb i cili e kupton vlerën e sovranitetit, demokracisë dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm. Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan, ju falënderoj shumë për këtë nder dhe për miqësinë tuaj”, tha Prattipari.











