Drama e Thaçit dhe Vuçiqit

Para disa orësh u njoftua arrestimi i z.Marko Gjuriq në Mitrovicën e Veriut ku po e mbante një takim me serbët lokalë në kuadër të ‘dialogut të brendshëm për çështjen e Kosovës’. Ndërsa, disa orë më herët Policia e Kosovës kishte njoftuar se i kishte ndaluar ‘ministrat’ e Qeverisë Serbe që të hynin në Kosovë […]
Para disa orësh u njoftua arrestimi i z.Marko Gjuriq në Mitrovicën e Veriut ku po e mbante një takim me serbët lokalë në kuadër të ‘dialogut të brendshëm për çështjen e Kosovës’.
Ndërsa, disa orë më herët Policia e Kosovës kishte njoftuar se i kishte ndaluar ‘ministrat’ e Qeverisë Serbe që të hynin në Kosovë duke qenë se nuk kishin marrë lejen adekuate nga institucionet e Kosovës. E megjithatë, Gjuriqi ishte futur ilegalisht bashkë me Nikolla Selakoviqin.
Pati tensione në veri pas arrestimit e madje një televizion lokal në Prishtinë lëshoi një xhirim ku dëgjohej tingulli i një alarmi. Etimologjia e kësaj fjale çon në Francën e shekullit të 16, dhe bën thirrje për t’i kapur armët [ang.to arms]. Por, në këtë rast megjithatë etimologjia e fjalës nuk mund ta përkthejë gjithë fjalën sepse kemi të bëjmë me një përpjekje për të ndjellur dramë me të cilën janë mësuar qytetarët e të dyja komuniteteve. U raportua madje se nxënësit e shkollave në veri ishin lëshuar nga shkollat dhe se presidenti Vuçiq e kishte thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për rastin në fjalë.
A është kjo ndodhi dhe kjo ngritje tensionesh krejt spontane, apo ka një [ose dy] skenarist prapa saj?
Dje në Bruksel u negociua për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, dhe mund të mendohet se kjo çështje është në prapavijë. Ka të ngjarë se bashkërisht Thaçi e Vuçiqi janë prapa ngjarjes në fjalë, arrestimit të Gjuriqit dhe ndalesës së ministrave në fjalë.
Por, pa u futur thellë në konspiracione, duke operuar me informacionet në dispozicion, mund të thuhet që kjo ka lidhje me atë që quhet ‘dialogu i brendshëm’ i Serbisë. Veç kësaj, ministrat serbë u kthyen mbrapa dhe Gjuriqi u arrestua. Nga e gjithë kjo mund të thuhet se Serbia po monologon për çështjen e Kosovës, duke e shpallur pafuqinë e saj për të. Gazeta Kurir e quajti ‘poshtërim’ atë që ndodhi. Ndërsa së fundi, për të përforcuar këtë argument, përflitet një largim i mundshëm i Listës Sërbe nga Qeveria e Kosovës, gjë që do të përbënte mundësinë për shpërbërjen e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në Kosovë. Por, edhe kjo e ka një ‘ndoshta’ në fillim.
Ky rast nuk mund të jetë spontan dhe i pamenduar sepse të tilla raste kanë ndodhur më parë, kur ministrat serbë nuk merrnin leje por as nuk arrestoheshin. Madje, rasti më tragjik ishte ai i 25 korrikut kur humbi jetën Enver Zymberi dhe policia e Kosovës u kthye me ‘bisht ndër shalë’, nëse përmendim një frazë të presidentit Thaçi.
Edhe opinioni publik në rrjete sociale tregon për një mospranim të kësaj ‘drame’. Shumica prej reagimeve e quajnë ‘inskenim’ arrestimin e Gjuriqit, përfshirë gazetaren Jeta Xharra dhe publicistin Astrit Gashi.












