Zyra e presidentes së PE: S’kemi koment për Paunovicin, në Rezolutën tonë keni qëndrimin për Serbinë

Zyra e Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, kanë thënë se nuk kanë ndonjë koment për të bërë rreth deklaratës së ministres serbe, Snezana Paunovic, e cila ditë më parë tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do të kishte nisur “spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998”.
“Faleminderit për pyetjet tuaja, sidoqoftë ne nuk kemi një koment për të bërë në këtë çështje”, ka thënë për Express zëdhënësi i presidentes së Parlamentit Evropian, Juri Laas.
Ai ka thënë se sa i përket qëndrimit të PE për Serbinë dhe Kosovën kanë nxjerrë një Rezolutë sëfundmi.
“Iu referoj tek Rezolutat e fundit të PE për Serbinë dhe Kosovën sa i përket qëndrimit të PE”, ka thënë Laas.
Megjithatë reagime të ashpëra për deklaratën e Paunovic ka pasur nga Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos. Politikanja sllovene ka thënë se është e habitur se si Paunovic vazhdon të jetë ministre.
Edhe nga Washingtoni zyrtar kanë kërkuar që politikanët të kontribuojnë në paqe, meqë ky është synimi amerikan për Ballkanin Perëndimor. Normalizimi Kosovë-Serbi është i domosdoshëm në këtë synim për paqe, theksojnë nga Departamenti Amerikan i Shtetit./Periskopi/












