“Ushtritë shqiptare”, 10 oficerë të FSK-së diplomojnë në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Dhjetë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë diplomuar në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Në një njoftim për media thuhet se kursi përgatitor për oficer, kishte nisur pas marrëveshjes së arritur mes dy ushtrive shqiptare, në tetor të vitit 2025.
“Kadetët e FSK-së diplomuan dje në ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës 2026 të kadetëve të Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ceremonia u zhvillua në praninë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve të mbrojtjes dhe sigurisë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Sipas njoftimit, kjo arritje shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit ushtarak dhe zhvillimit profesional të udhëheqësve të rinj.
“Oficerët e diplomuar kanë përfunduar me sukses programin akademik dhe ushtarak, duke fituar njohuri të avancuara në fushën e udhëheqjes, planifikimit operacional, vendimmarrjes dhe menaxhimit ushtarak në përputhje me standardet e NATO-s.”, thuhet në njoftim.











