Lulzim Aliu: Strategjia e Energjisë parashikon largimin e thëngjillit deri në vitin 2050

Anëtari i PDK-së, Lulzim Aliu, u ka bërë thirrje qytetarëve të lexojnë "Strategjinë e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031", duke thënë se në këtë mënyrë secili mund të krijojë vetë bindjen e tij për të ardhmen e sektorit të energjisë në Kosovë.
"Ju lutem që ta lexoni 'Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031' që është miratuar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2022. Në këtë mënyrë, pa u ndikuar nga askush, mund të gjeni të vërtetat dhe gënjeshtrat rreth të ardhmes së Kosovës në fushën e Energjisë", ka shkruar Aliu.
Sipas tij, energjia është interes kombëtar dhe siguria energjetike është një nga elementet kryesore të pavarësisë së një shteti. Ai thekson se Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dhe ngre pyetje pse, sipas tij, Qeveria ka qenë kundër ndërtimit të termocentralit "Kosova C".
Aliu thotë se Strategjia e Energjisë parasheh që në vitin 2031 të mos ketë më prodhim nga Kosova A, ndërsa në vitin 2050 të mbyllet edhe Kosova B, duke shtuar se dokumenti zyrtar parasheh largimin gradual të thëngjillit dhe zëvendësimin e tij me burime të ripërtëritshme të energjisë.
Ai pretendon gjithashtu se Qeveria nuk ka lejuar prodhim të ri të energjisë nga investitorët, vendorë apo të huaj, dhe se për zhvillimin e projekteve nga burimet alternative kërkohet shpallja e ankandeve.
"Në fund, nëse e vlerësoni gjendjen objektivisht dhe pa emocion, do të vini në përfundimin se kjo Qeveri as nuk do të vazhdojë ta ketë thëngjillin si burimin kryesor për prodhim të energjisë e as nuk është duke lejuar prodhimin me burimet tjera alternative", ka deklaruar Aliu.











