Pse FIFA po përpiqeT t’u përshtateT amerikanëve që as nuk janë aq të interesuar për futbollin?

Spanja ose Argjentina do të marrë një çmim të paparë më herët në historinë e Kupës së Botës, por vendimi i FIFA-s ka shkaktuar reagime të shumta dhe kritika nga tifozët.
Dy kombëtaret do të përballen më 19 korrik në finalen e 24-t të Kupës së Botës, ndërsa Argjentina synon ta mbrojë titullin e fituar në Katar në vitin 2022.
Finalja do të zhvillohet në stadiumin “MetLife”, në zonën e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, para më shumë se 80 mijë tifozëve. Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë edhe personalitete të shumta, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, i cili do t’ua dorëzojë trofeun fituesve.
Lojtarët do të jenë të përqendruar te trofeu më i rëndësishëm në futboll, ndërsa Lionel Messi do të synojë ta fitojë për herë të parë edhe “Këpucën e Artë” të Botërorit. Kapiteni i Argjentinës ka realizuar 21 gola në turnetë e Kupës së Botës.
Federata e kombëtares fituese do të përfitojë rreth 38 milionë paund nga fondi i çmimeve të FIFA-s, ndërsa finalistja e mposhtur do të marrë rreth 24.5 milionë paund.
Kombëtarja që përfundon në vendin e tretë do të përfitojë 21.5 milionë paund, ndërsa skuadrës së renditur në pozitën e katërt do t’i takojnë 20 milionë paund.
Të 48 kombëtaret pjesëmarrëse do të marrin nga një pllakë përkujtimore, ndërsa ekipet e renditura në tri vendet e para do të nderohen edhe me diploma.
FIFA do ta ndajë gjithashtu çmimin për lojë të ndershme. Federata fituese do të marrë 50 mijë dollarë, të cilat duhet të përdoren për një fushatë sociale të lidhur me futbollin në territorin e saj.
Unaza kampioni për fituesit
Përpara finales, FIFA ka njoftuar se skuadra kampione do të marrë për herë të parë edhe unaza të posaçme kampioni.
Në total do të prodhohen 30 unaza për ekipin fitues, ndërsa 1,996 unaza të tjera do të vihen në dispozicion të tifozëve në mbarë botën.
“Njëra anë e unazës do të përmbajë trofeun e Kupës së Botës, ndërsa ana tjetër do të personalizohet sipas identitetit të skuadrës fituese. Çdo unazë do të ketë një numër unik, do të përshtatet sipas madhësisë së marrësit dhe do të shoqërohet me certifikatë autenticiteti”, thuhet në njoftimin e FIFA-s.
Menjëherë pas finales, kapiteni dhe trajneri i kombëtares fituese do të marrin unaza të përkohshme për ta shënuar këtë moment.
Më pas, secila prej 30 unazave do të personalizohet dhe do t’u dorëzohet zyrtarisht fituesve në një datë të mëvonshme.
Tifozët kritikojnë “amerikanizimin” e Botërorit
Vendimi për prezantimin e unazave shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale. Disa tifozë e cilësuan atë si një tjetër përpjekje për ta afruar Kupën e Botës me kulturën sportive amerikane.
“Kupa e Botës ka nisur në vitin 1930, ndërsa FIFA priti 96 vjet për të prezantuar unazat e kampionëve. Kjo tregon se sa shumë ky turne po anon drejt kulturës sportive amerikane”, komentoi një tifoz.
Një tjetër shkroi:
“Amerikanizimi i këtij Botërori është absurd. Spektakle në pushimin mes pjesëve, unaza dhe të gjitha këto gjëra. Pse po përpiqen t’u përshtaten amerikanëve që as nuk janë aq të interesuar për futbollin?”
Një tifoz tjetër theksoi se fituesit e Kupës së Botës tashmë do të mund të thonë se kanë unaza kampioni, njësoj si fituesit në NBA dhe MLB.
Unazat e kampionëve janë një traditë e hershme në sportin e Amerikës së Veriut. Ato u jepen fituesve të Super Bowl-it, NBA-së, World Series dhe Stanley Cup-it.
Megjithatë, përfshirja e kësaj tradite në Kupën e Botës ka ndarë opinionin, me një pjesë të tifozëve që e shohin si një kujtim të veçantë për kampionët, ndërsa të tjerët besojnë se ajo nuk përputhet me historinë dhe identitetin e futbollit.











