Dy fytyrat e Lutfi Hazirit: Mes “unitetit” pranë Abdixhikut dhe ambicies për ta drejtuar LDK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] po kalon një nga periudhat më të rënda në historinë e saj. Përplasjet e brendshme, ndarjet në grupe dhe lëvizjet për ndryshime në krye të partisë kanë nxjerrë një krizë që nuk mund të fshihet më pas deklaratave për unitet, siç shprehen eksponentë të saj para publikut.
Enis Rrustemi, Periskopi
Në qendër të kësaj situate nuk është vetëm debati për të ardhmen e kryetarit të kësaj partie, por edhe roli i figurave që publikisht shfaqen pranë tij, ndërsa në prapaskenë, mbështesin skenarë krejtësisht të ndryshëm.
Njëri prej tyre është nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Sipas burimeve të Periskopit brenda partisë, Haziri në takime me përfaqësues të grupit që kundërshton Abdixhikun ka shprehur gatishmëri për largimin e liderit aktual, por me një kusht të qartë: nëse kjo ndodh, LDK-ja të drejtohet përkohësisht nga një ushtrues detyre dhe ai ushtrues detyre të jetë vetë Lutfi Haziri.
Në çdo dalje publike, në çdo aktivitet të rëndësishëm të partisë, Haziri jep përshtypjen e një personi unifikues që, sipas zhvillimeve të fundit, duket se ekziston vetëm para kamerave..
A është Lutfi Haziri me Lumir Abdixhikun, apo është pjesë e projektit për ta larguar atë?
Nëse beson se Abdixhiku duhet të largohet, pse nuk e thotë hapur?
Nëse nuk beson në atë skenar, atëherë përse dëshiron të krijohen kushte që partia të funksionojë për një kohë me ushtrues detyre dhe ai të jetë në krye të saj?
Fundin e Abdixhikut si kryetar partie mund ta shohim shumë shpejt. Kjo, për shkak se është drejt finalizimit numri i nënshkrimeve të delegatëve që kërkojnë largimin e tij nga posti i Kryetarit.
Siç mëson Periskopi, deri më tani janë rreth 180 nënshkrime nga 355 delegatë që janë kundër Abdixhikut. Kjo është e mjaftueshme për ta thirrur Kuvendin për shkarkimin e tij.
Finalizimi i tyre pritet të bëhet shumë shpejt.











