Për takimin Kurti-Hamza njofton Zyra e Kryeministrit, dërgojnë edhe fotografi, kreu i PDK shkoi vetëm

Zyra e Kryeministrit ka publikuar fotografi të reja nga takimi i zhvilluar në ambientet e Kuvendit të Kosovës ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës , Bedri Hamza.
Nga pamjet shihet se, ndryshe nga lideri i opozitës i cili erdhi i vetëm në këtë takim, kryeministri Kurti ka marrë me vete edhe ministrin në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin.
“Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotëroj edhe në vijim dhe në përputhje me afatet të konstituojmë institucionet. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera konstruktive duhet të vazhdoj të mbizotëroj”, ka thënë Kurti pas takimt.
Kryeministri Kurti ka deklaruar po ashtu se “për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë”, ndërsa shtoi se për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale, të mos jetë i asnjë partie, dhe dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit.
Në kuadër të konsultimeve, kryeministri në detyrë Kurti pasdite do të takojë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku./Periskopi/











