Dogana kap mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera rreth 8 mijë euro

Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të tentativës për kontrabandim të mallrave në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, gjatë kontrolleve rutinore të automjeteve në hyrje të Kosovës.
Dogana njofton se rasti është zbuluar kur një zyrtar doganor ka përzgjedhur për kontroll të detajuar një automjet me targa të huaja.
Gjatë kontrollit fizik të bagazhit të automjetit është konstatuar se në të ndodheshin mallra të padeklaruara pranë autoriteteve doganore. Sipas vlerësimit paraprak të Sektorit të Vlerësimit Doganor, vlera e mallit të padeklaruar është rreth 8,000 euro”.
Falë vigjilencës dhe profesionalizmit të zyrtarëve doganorë, është parandaluar futja e paligjshme e mallrave në territorin doganor të Republikës së Kosovës. Veprime të tilla cenojnë konkurrencën e ndershme, dëmtojnë ekonominë vendore dhe shmangin detyrimet fiskale të përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, theksohet mes tjerash në njoftimin e Doganës.











