Betimi për Drejtësi, Marmullakaj: 40 milionë euro u humbën nga BE-ja, por me këtë trend mund t’i humbim 400 milionë

Kosova tashmë ka humbur të paktën 40 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, por sipas hulumtuesit të lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Qemajl Marmullakaj, nëse vendi vazhdon me këtë trend, mund të humbasë deri në 400 milionë euro
Marmullakaj, në një prononcim për “Betimin për Drejtësi”, ka thënë se Kosova ka humbur mbi 40 milionë euro për shkak se institucionet e Kosovës nuk i respektuan afatet kohore të dakorduara me Bashkimin Evropian.
“Mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes kanë humbur për arsye se institucionet e Kosovës nuk i kanë respektuar afatet kohore të dakorduara me Bashkimin Evropian. Të gjithë ata hapa që kanë qenë pjesë e Planit të Rritjes dhe që i kanë pasur afatet në kuartalin e parë të vitit 2025, afatin përfundimtar për zbatimin e tyre e kanë pasur në kuartalin e dytë të vitit 2026. Prandaj, për të gjithë ata hapa që nuk janë zbatuar, nuk është arritur të disbursohen, përkatësisht të merren mjetet nga Komisioni Evropian”, ka thënë Marmullakaj.
Sipas Marmullakajt, përgjegjësia për humbjen e mbi 40 milionë eurove i takon Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
“Në parim, përgjegjësia është institucionale. Është përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës, e Qeverisë dhe e Kuvendit në veçanti. Të gjithë hapat që janë të përfshirë në kuadër të Planit të Rritjes kërkojnë institucione funksionale. Disa prej tyre kërkojnë miratim vetëm nga Qeveria, por shumica kërkojnë miratim edhe nga Qeveria, edhe nga Kuvendi i Kosovës. Në parim, duhet të kemi institucione funksionale që të zbatohet Plani i Rritjes”, ka thënë Marmullakaj.
Sipas tij, nëse ky trend i dështimit vazhdon, atëherë Kosova mund t’i humbasë deri në 400 milionë euro nga mbi 882 milionë euro sa janë të dedikuara për vendin.
“Institucionet e Kosovës duhet t’i kushtojnë rëndësi procesit të integrimeve evropiane në përgjithësi dhe Planit të Rritjes në veçanti. Gjatë vitit të ardhshëm, në kuadër të Planit të Rritjes, janë paraparë mbi 50 hapa që duhet të zbatohen gjatë kësaj periudhe. Prandaj, institucionet duhet ta marrin me seriozitet zbatimin e këtyre hapave, në mënyrë që të mos vazhdojmë të humbim mjete nga Plani i Rritjes. Duhet të kemi parasysh se janë mbi 882 milionë euro që Kosova mund t’i përfitojë në këtë proces. Nëse vazhdojmë me trendin e humbjes së gjysmës së mjeteve brenda afateve kohore, atëherë Kosova nuk do të arrijë të përfitojë as 400 milionë euro nga mjetet e dedikuara për të”.











