Vance thotë se Irani është pajtuar që ta lejojë kthimin e inspektorëve bërthamorë në territorin e vet

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka thënë se Irani është pajtuar që ta lejojë kthimin e inspektorëve bërthamorë në territorin e vet – kërkesë kyçe e komunitetit ndërkombëtar – ndërsa ka shtuar se diskutimet me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore mund të ndodhin “hiç më larg se sot”.
Vance tha se është shënuar përparim i madh pas rundit të parë të bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për përfundimin e luftës, duke i dhënë jehonë një deklarate nga ndërmjetësit, raporton televizioni BBC.
Ai shtoi se ekipet negociatore i kishin diskutuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe “shmangien e konfliktit për armëpushimin rajonal”.
Memorandumi i mirëkuptimit, i nënshkruar javën e kaluar, përfshin një zotim për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e luftimeve “në të gjitha frontet”, përfshirë Libanin.
Duke folur të hënën në mëngjes në Zvicër, nënpresidenti amerikan tha: “Ky është një hap i madh për popullin amerikan dhe një hap i parë në përfundimin e përhershëm të një programi të armëve bërthamore në Iran.”
Irani gjithmonë ka deklaruar se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile.
Kur u pyet nga gazetarët se kur pritet të kthehen në Iran inspektorët bërthamorë ndërkombëtarë, Vance tha se ai pret që procesi të fillojë “të paktën këtë javë”, por bisedimet me inspektorët dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore “mund të ndodhin hiç më larg se sot”.











