Mihali e VV’së ofendon rëndë Ramën: Ti klloun je, nën duhmën e thartirës që jep alkooli pas narkotikut të duket vetja si lojtar i madh

Koordinatorja për komitete e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pas akuzave të fundit të tij në sagën e përplasjeve.
Rama më herët shkroi në Facebook se Mihali nuk e ka pranuar një padi nga ai. Pas përçarjeve në LDK ditë më parë, Mihali në “sagën” e përplasjeve verbale me Ramën, e fajësoi kryetarin e Prishtinës për tensionet brenda partisë së tretë më të madhe në Kosovë.
E sot në Facebook, Rama ka thënë se kur Mihali i del në mbrojtje LDK-së, kjo parti “duhet të shikohet në pasqyrë”.
Tani, Mihali, duke përmendur edhe emra biznesmenësh e figurave të tjera, ka akuzuar Ramën se për qëllim ka goditjen e re për LDK-në.
“Qëllimi: edhe një goditje të re LDK-së. Bash në kohën kur Kryetari i LDK-së po fliste për të, në intervistë publike në TV. Sa për mbrojtje, LDK i ka njerëzit e vet. E ata po duket që më shumë duhet të mbrojnë shpinën nga ty, se nga kushdo tjetër. Por ata e dinë vet çka bëjnë. Çka shohim ne është që ti i ke rras punët e Prishtinës nën thundrrën e krimit të organizuar që jo rrallë ka emra të PDK-së të ngatërruar në të edhe pse ke garuar me logon e LDK-së. Duke mos qeverisur me letra e me rregull nuk di as kujt i dërgohen dokumentet. Letra i dërgohen atyre që do e uron. Ti je tradhtar kronik. Nuk e njeh as dashurinë, as mirësinë, as besnikërinë. Prandaj nuk të ka hije letra me postë. Ndërsa kontestet dërgohen në gjykatë. E, paraprakisht kryhen disa procedura që të plotësohen kushtet ligjore. Po do me dit ti për kësi rregullash. Ti klloun je”, ka shkruar ajo në Facebook. “Ama nën duhmën e thartirës që jep alkoli pas narkotikut të duket vetja si lojtar i madh. Ky është efekti i PDK-së. Ta shtron "tavolinën" e të duket si pistë aeroplani. Veç kur ta shohësh veten më pas si nën rrota”.











