Nga mesjava destabilizim i motit, temperaturat ulen nën 20°C

Edhe gjatë kësaj jave, vendi ynë do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, ndonëse të ngrohta në fillim të javës, për t’u pasuar nga masa më të ftohta në pjesën e dytë të saj.
Nën këto kushte, dita e hënë u karakterizua me diell dhe vranësira, ndërsa kryesisht rreth zonave malore në jug dhe perëndim të vendit pati edhe rrebeshe të izoluara shiu.
Edhe dita e martë parashikohet me kushte të ngjashme, me diell dhe vranësira të pakta, ndërsa gjatë orëve të pasditës, kryesisht rreth zonave malore në jug dhe perëndim, priten rrebeshe të izoluara shiu, të shoqëruara me ndonjë shkarkesë elektrike.
Të mërkurën do të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa gjatë orëve të pasditës pritet që vranësirat të marrin karakter zhvillimi dhe lokalisht të përcillen me rrebeshe të izoluara shiu, por në zona të caktuara edhe më intensive, me mundësi për breshër dhe të shoqëruara me shkarkesa rrufesh.
Nga dita e enjte, fillimisht do të mbajë mot me diell, ndërsa gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes pritet shtim i vranësirave, të cilat do të pasohen nga një sistem frontal që vjen nga veriperëndimi i kontinentit, duke gjeneruar rrebeshe lokale shiu, shkarkesa rrufesh dhe lokalisht breshër.
Dita e premte do të mbetet nën ndikimin e masave të ftohta. Gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe në mëngjes priten rrebeshe lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh. Dita do të vijojë me vranësira dhe intervale me diell. Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, rreth vlerave apo edhe nën 20°C.
Të shtunën do të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ku lokalisht priten reshje të pakta shiu. Masat e ftohta do të vazhdojnë të dominojnë, megjithatë ka tendenca për rritje të lehtë të temperaturave./Meteo Kosova











