KQZ sqaron procesin e votimit me postë, thotë se nuk pati ankesa

Pas shqetësimeve të ngritura në publik lidhur me organizimin e votimit jashtë Kosovës, veçanërisht atij përmes postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një sqarim të detajuar, duke theksuar se i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe me masa të shumta sigurie për të garantuar integritetin e votës.
Në reagimin e saj, KQZ thekson se organizimi i votimit jashtë vendit është bërë në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për regjistrimin e votuesve, votimin në përfaqësitë diplomatike dhe votimin përmes postës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë hapat konkretë për të mundësuar regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike apo përmes postës dhe organizimin e votimit. Gjithashtu, KQZ, përmes procedurave standarde të veprimit, ka rregulluar çështjen e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare, të cilat i takojnë votimit me postë”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.
Sipas KQZ-së, procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës është shoqëruar me masa të veçanta sigurie. Një prej tyre ka qenë verifikimi përmes fotografimit në kohë reale gjatë aplikimit.
“KQZ është kujdesur që procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës të përmbushë disa aspekte sigurie, në mesin e të cilave është fotografimi i aplikuesit derisa mban dhe njëkohësisht prezanton dokumentin e tij të identifikimit. Aplikuesi nuk mund ta ngarkojë fotografinë, por ai ose ajo duhet të fotografohet në momentin kur hapet kamera e platformës për regjistrim”, thekson institucioni.
KQZ nënvizon se çdo votues i regjistruar me sukses ka pranuar në adresën elektronike një dëftesë regjistrimi me të dhëna unike, dokument i domosdoshëm për verifikimin e vlefshmërisë së votës së dërguar me postë.
Institucioni zgjedhor bën të ditur se për zgjedhjet janë caktuar 30 qendra votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, përkatësisht 17 ambasada dhe 13 konsullata, ndërsa për votimin me postë janë hapur kuti postare në 22 shtete të ndryshme të botës, përveç kutisë së përhershme postare në Kosovë.
Në sqarim thuhet se, për të rritur sigurinë, që nga zgjedhjet lokale të vitit 2025 votuesve jashtë vendit u dërgohen fletëvotime të shtypura nga vetë KQZ-ja, të pajisura me elemente sigurie të njëjta me ato që përdoren në vendvotimet në Kosovë.
“Pako që përmban fletëvotimin dhe udhëzuesin për votim dërgohet përmes operatorit ekonomik në adresën e votuesit të regjistruar. Detyrë e votuesit është që në këtë pako të vendosë fletëvotimin e futur në zarfin e fshehtësisë dhe dëftesën e regjistrimit të pranuar nga KQZ, për ta dërguar më pas në kutinë postare të përcaktuar”, sqaron KQZ.
Një pjesë e veçantë e reagimit i kushtohet procedurës së tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare jashtë Kosovës. KQZ thotë se për këtë proces janë autorizuar zyrtarë të përfaqësive diplomatike, ndërsa vëzhguesit e akredituar janë njoftuar rregullisht për të përcjellë nga afër procedurat.
“Pas tërheqjes së pakove me fletëvotime, ato evidentohen brenda objektit të postës dhe vendosen në thasë, të cilët mbyllen me lidhëse të sigurisë dhe shirit sigurie. Ekipi i autorizuar ka regjistruar numrin e zarfeve të tërhequr dhe numrin e lidhëses së sigurisë në formularët përkatës. Fotografitë dhe raportet janë dërguar menjëherë përmes email-it në KQZ”, thuhet në njoftim.
Sipas institucionit, thasët me dërgesat e tërhequra janë ruajtur në dhomat e sigurisë të përfaqësive diplomatike deri në momentin e dorëzimit te operatori përgjegjës për transportimin e tyre në Kosovë përmes kanaleve diplomatike.
KQZ ka sqaruar gjithashtu procedurat që ndiqen pas mbërritjes së pakove në Kosovë. Sipas saj, të gjitha dërgesat i nënshtrohen procesit të vlerësimit për të verifikuar nëse janë dërguar nga votues të regjistruar.
“Për të vëzhguar këtë proces, KQZ ka njoftuar vëzhguesit e akredituar dhe vëzhguesit e subjekteve politike, të cilët kanë qenë prezentë pothuajse gjatë gjithë kohës kur është bërë hapja e thasëve dhe vlerësimi i zarfeve, dhe nuk kanë paraqitur asnjë vërejtje gjatë këtij procesi. Gjithashtu, vlen të theksohet se zyrtarët që kanë kryer vlerësimin e zarfeve nuk kanë vërejtur asgjë të pazakontë gjatë hapjes dhe shqyrtimit të tyre”, thuhet më tej.
Në fund, KQZ thekson se i gjithë procesi është zhvilluar me transparencë të plotë dhe nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të akredituar.
“Gjatë procesit të votimit përmes postës, tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare, vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime dhe numërimit të tyre, KQZ nuk ka pranuar ndonjë ankesë dhe nuk është shënuar ndonjë vërejtje nga vëzhguesit e organizatave të akredituara, të cilët kryesisht kanë qenë vëzhgues të subjekteve politike”, përfundon reagimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.











