“Jo 5 mijë veta, por 500 mijë të dalin në shesh nuk mjaftojnë”, Rama thirrje protestuesve: Janë 800 e ca kusur mijë që kanë bërë marrëveshje me mua

Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te protesta në Tiranë gjatë takimit të tij me banorët në Zvërnec.
Kreu i qeverisë u shpreh se edhe 500 mijë banorë të dalin në shesh nuk mjaftojnë, pasi më shumë se 800 mijë persona e kanë votuar atë dhe Partinë Socialiste.
“Jo 5 mijë veta, por 500 mijë të dalin në shesh, nuk mjaftojnë, janë 800 e ca kusur mijë që kanë bërë marrëveshje me mua dhe PS. Ky investim nuk doli sot papritur. Unë e kam thënë në fushatë. Unë isha në Tivat, erdha direkt nga Tivati këtu… Tivati ishte vendi më i pazhvilluar në Mal të Zi, nuk shkonin turistë se ishte bazë ushtarake”, tha Rama.
Kryeministri shtoi gjithashtu: “Këta që kanë dalë të protestojnë i duan pagat si në Amerikë mbase. I duan si në Manhatan. Nuk e di çfarë duan këta. Pagat në sistemin e turizmit tonë janë si në Greqi, ose më shumë si në Greqi. Këtu nuk është: ‘Sa të të jap?’. Këtu është: ‘Hajde të punosh’. Në Tivat, të gjithë ata që takova atje ishin malazez”.











