Heroinë nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë, arrestohen 2 persona në aksin Bulqizë-Librazhd

Strukturat hetimore të DVP Elbasan kanë finalizuar operacionin e koduar “Trajektorja”, duke goditur një rast të trafikimit të lëndës narkotike heroinë nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë.
Operacioni u zhvillua pas një hetimi të ndjekur me metoda speciale dhe nën mbikëqyrjen e Prokurorisë së Elbasanit. Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi 1 kilogram heroinë, një automjet tip “Fiat”, dy telefona celularë si dhe shuma parash në lekë, euro dhe denarë
Sipas hetimeve, lënda narkotike ishte futur në territorin shqiptar përmes kufirit të gjelbër nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut, ndërsa pritej të shpërndahej në Shqipëri nga një bashkëpunëtor i tij.
Automjeti me të cilin lëviznin të dy të dyshuarit u ndalua në aksin rrugor Bulqizë–Librazhd. Gjatë kontrollit të imtësishëm, efektivët gjetën një çantë shpine të fshehur në gomën e pasme të furgonit, ku ndodhej 1 kilogram heroinë.
Në pranga ranë L. G., 32 vjeç, banues në Strugë, dhe A. B., 45 vjeç, banues në Durrës. Sipas policisë, 32-vjeçari kishte siguruar dhe transportuar lëndën narkotike nga Maqedonia e Veriut, ndërsa 45-vjeçari e priste atë në Shqipëri me qëllim shitjen.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë./Periskopi/











