Goditen dy raste të kultivimit të kanabisit në Shkodër, asgjësohen mbi 2000 bimë

2098 bimë dhe fidanë kanabisi janë asgjësuar në qarkun e Shkodrës, ndërsa dy persona janë arrestuar dhe një kryeplak është proceduar penalisht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Territor i Pastër”.
Gjatë kontrolleve në njësinë administrative Shosh, në fshatin Ndrejaj, shërbimet e Policisë konstatuan 768 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në parcelë u kap në flagrancë dhe u arrestua P.M,, 53 vjeç, banues në Ndrejaj. Gjatë kontrollit pranë banesës së tij u gjetën dhe u sekuestruan edhe 80 kubikë me fidanë të dyshuar cannabis sativa, shkruan vizionplus.tv.
Ndërkohë, në fshatin Vukël, në njësinë administrative Kelmend, u zbuluan 1250 bimë të dyshuara cannabis sativa. Në afërsi të parcelës u arrestua në flagrancë A.Ç, 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Po ashtu, Policia nisi procedim penal në gjendje të lirë ndaj K. B., 65 vjeç, kryeplak i fshatit Vukël.
Të gjitha bimët dhe fidanët e kanabisit u asgjësuan në vend me anë të djegies, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.











