Cili lojtar përdor më shumë të dyja këmbët në Botërorin 2026? Del në pah statistika interesante

Një analizë e publikuar nga Gradient Sports ka nxjerrë në pah futbollistët më të aftë në përdorimin e të dyja këmbëve gjatë Kupës së Botës 2026, duke marrë në konsideratë çdo pasim, goditje, krosim dhe largim të topit gjatë turneut.
Në krye të renditjes qëndron veterani kroat Ivan Perisic, i cili ka arritur balancën perfekte mes këmbës së djathtë dhe të majtë.
Sipas statistikave, Perisic ka një raport 50/50, duke marrë rezultatin maksimal prej 100 pikësh në indeksin e balancës.
Pas tij renditen mbrojtësi norvegjez Torbjorn Heggem dhe ylli francez Ousmane Dembele, të cilët kanë një raport pothuajse identik në përdorimin e të dyja këmbëve (49/51) dhe një vlerësim prej 98 pikësh.
Në vendin e katërt gjendet mbrojtësi uzbek Rustam Ashurmatov me 94 pikë, ndërsa pesëshja e parë plotësohet nga reprezentuesi i Marokut, Brahim Diaz, i cili regjistron një raport 47/53 dhe 93 pikë.
Po me 93 pikë renditet edhe mbrojtësi kroat Marin Pongracic, ndërsa bashkëkombësi i tij Josko Gvardiol mban vendin e shtatë me 90 pikë, duke konfirmuar edhe një herë cilësinë teknike të futbollistëve kroatë.
Dhjetëshja më e mirë plotësohet nga Yazan Al-Arab (Jordani), Manuel Akanji (Zvicër) dhe talenti i Bregut të Fildishtë Yan Diomande.
Lista tregon se aftësia për të luajtur me të dyja këmbët po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në futbollin modern.
Futbollistët me këtë karakteristikë janë më të paparashikueshëm në fazën ofanzive, kanë më shumë opsione në ndërtimin e aksioneve dhe përshtaten më lehtë në role të ndryshme taktike./Telegrafi/











