Bushati për protestat në Tiranë: Shqipëria e Re kapitull i pashmangshëm që duhet përqafuar

Ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, ka reaguar për protestat në Tiranë, duke kundërshtuar pretendimet se qytetarët që marrin pjesë në to ndikohen nga faktorë të jashtëm apo nga algoritmet e rrjeteve sociale.
Në mesazhin e tij, Bushati shprehet se protestuesit janë qytetarë të revoltuar, të cilët, sipas tij, kanë kuptuar pasojat e lidhjeve mes politikës, oligarkisë…
“Nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre. Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë. Të vetëdijësuar për pasojat e aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar. Janë qytetarë që besojnë se Shqipëria meriton më shumë: më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë shpresë dhe më shumë mundësi për të gjithë.
Çdo ditë që kalon e forcon bindjen se Shqipëria e Re nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm që duhet përqafuar. Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi”, shkruan ai në rrjetet sociale./Periskopi/












