Bosnja mposht Katarin dhe mban gjallë ëndrrën e kualifikimit

Bosnja dhe Hercegovina ka mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në fazën nokaut të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Katarin me rezultat 3-1 në ndeshjen e fundit të Grupit B.
Skuadra e drejtuar nga Sergej Barbarez zhvilloi një paraqitje solide dhe e mbylli fazën e grupeve me katër pikë, duke pritur tani rezultatet e grupeve të tjera për të mësuar nëse do të avancojë si njëra prej kombëtareve më të mira të vendeve të treta.
Boshnjakët kaluan në epërsi në minutën e 29-të falë një supergoli të Kerim Alajbegoviqit, i cili depërtoi bukur dhe dërgoi topin në këndin e sipërm të portës për 1-0.
Vetëm pesë minuta më vonë, Bosnja e dyfishoi avantazhin me ndihmën e fatit, pasi portieri Mahmoud Abunada devijoi topin në rrjetën e tij për autogolin që solli rezultatin 2-0.
Katari u rikthye në lojë para pushimit. Në minutën e 42-të, Hasan Al Haydos shfrytëzoi një asistim të Edmilson Junior dhe shënoi për 2-1, duke i dhënë shpresë skuadrës së Julen Lopeteguit për pjesën e dytë.
Megjithatë, boshnjakët ruajtën kontrollin e ndeshjes dhe vulosën fitoren në minutën e 80-të. Pas një pritjeje të portierit katarian ndaj goditjes së Esmir Bajraktareviqit, topi përfundoi te Ermin Mahmiq, i cili realizoi nga afërsia për rezultatin përfundimtar 3-1.
Me këtë triumf, Bosnja dhe Hercegovina e mbyll fazën e grupeve me katër pikë dhe tani pret me interes zhvillimet në grupet e tjera, duke shpresuar që bilanci i saj të jetë i mjaftueshëm për një vend në mesin e skuadrave më të mira të renditura në pozitën e tretë./Periskopi/











