Bloomberg nxjerr detaje nga prapaskenat e ujdisë SHBA-Iran

Mbrëmjen e së dielës, më 14 qershor, në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë, sytë ishin kthyer nga një përballje e UFC-së. Poshtë konstruksionit metalik që organizatorët e kishin pagëzuar “Kthetra”, Justin Gaethje shënoi fitoren duke bërë një xhiro spektakolare jashtë tetëkëndëshit.
Donald Trump ndodhej në rreshtat e parë të tribunave dhe ndiqte shfaqjen, pak pasi kishte shpallur se lufta me Iranin kishte marrë fund dhe se Ngushtica e Hormuzit po hapej sërish.
Vetëm disa orë më herët, teksa bëhej gati të kremtonte në Shtëpinë e Bardhë ditëlindjen e tij të 80-të me familjen, presidenti amerikan kishte nxitur reagime të mëdha ndërkombëtare përmes një postimi në Truth Social.
“Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit është përfunduar. Urime të gjithëve. Unë mbështes plotësisht hapjen e Ngushticës së Hormuzit pa tarifa tranziti dhe heqjen e menjëhershme të bllokadës detare të Shteteve të Bashkuara. Anije të botës, ndizni motorët tuaj. Lëreni naftën të rrjedhë”, shkroi ai.
Por, ashtu si në shumë episode të tjera të kësaj lufte, deklarimet e presidentit kishin shkuar më përpara se realiteti në terren. Marrëveshja e plotë nuk ishte publikuar ende, ceremonia zyrtare e nënshkrimit mbetej disa ditë larg, ndërsa temat më të ndërlikuara programi bërthamor, sanksionet dhe fronti libanez vazhdonin të ishin të pazgjidhura.
Goditja që rrezikoi të rrëzonte gjithë procesin diplomatik
Atë mëngjes, ujdisë iu afrua shumë kolapsi. Afërsisht në orën 6:45 të mëngjesit, sipas kohës së Uashingtonit, Izraeli goditi objektiva në Bejrutin jugor. Pala iraniane në negociata kishte paralajmëruar disa herë se një hap i tillë mund t’i çonte bisedimet drejt dështimit përfundimtar.
Autoritetet izraelite thanë se sulmi ishte kundërpërgjigje ndaj raketave të lëshuara nga Hezbollahu. Megjithatë, në Perëndim dhe në kryeqytetet arabe, shumë e interpretuan ndryshe: si një tentativë të fundit të Benjamin Netanyahut për të sabotuar një marrëveshje nga e cila, në praktikë, ishte lënë jashtë.
Teherani pezulloi përkohësisht komunikimet. Pas katër orësh, Trump doli vetë publikisht dhe e kritikoi goditjen izraelite, duke thënë se “nuk duhej të kishte ndodhur”.
Pakënaqësia ndaj aleatit të tij dikur të afërt tashmë nuk fshihej më. Sipas raportimeve, ai foli në telefon me Netanyahun dhe i shprehu zemërimin, pasi mendonte se bombardimet po vinin në rrezik muaj të tërë pune diplomatike.
Katari del në krye të ndërmjetësimit
Pas kësaj marrëveshjeje qëndronin muaj të tërë përpjekjesh ndërmjetësuese. Që prej marsit, Katari kishte pasur rol mbështetës krahas Pakistanit, Egjiptit dhe Turqisë, por deri në mesin e majit kishte ngurruar të merrte drejtimin e procesit.
Kjo qasje ndryshoi kur Uashingtoni dhe Teherani i kërkuan Dohës të angazhohej në mënyrë më aktive.
Për të shmangur vëmendjen publike, Katari dërgoi në fshehtësi një delegacion të nivelit të lartë në Teheran përmes Turqisë. Misioni synonte të kuptonte qëllimet reale të udhëheqjes iraniane dhe të gjente hapësira për kompromise të mundshme. Ndërmjetësit katarianë ndodheshin në kryeqytetin iranian pikërisht në momentin kur Trump përsëriti publikisht kërcënimin për veprime ushtarake, duke thënë se “koha po mbaron për Iranin”.
Një ditë më pas, presidenti amerikan bëri të ditur se kishte shtyrë një sulm të planifikuar me kërkesë të Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, pasi negociatat serioze ishin në zhvillim./Periskopi











