Kompania nga Rahoveci kishte importuar mishin e prishur nga Belgjika

Skandali i mishit të prishur që është zbuluar në Belgjikë nga Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) javën e kaluar, ka prekur edhe Kosovën. Agjencia zbuloi se mishtorja belge “Veviba” kishte shitur sasi të mëdha të mishit të prishur brenda Belgjikës dhe jashtë saj. Në mesin e vendeve ku ishte importuar mishi i […]
Insajder raporton se Kompania për përpunimin dhe konservimin e mishit ‘Euro Ida’ me bazë në Rahovec, ka eksportuar mishin nga kompania ‘Veviba’.
Emri i kompanisë u zbulua pas sigurimit të disa dokumenteve brenda Doganës së Kosovës.
“Euro Ida” kishte importuar mish tri herë brenda muajve maj dhe qershor të vitit 2016. Mishi i importuar kishte qenë “mish gjedhi”. “Euro Ida” kishte marrë rreth 60 ton mish nga kompania belge “Veviba” në tri importe të realizuara ndaras nga njëra-tjetra.
Pavarësisht se dokumenti tregon për importet e kompanisë “Euro Ida” nga kompania belge që është pjesë e skandalit të mishit të prishur “Veviba”, drejtori i kompanisë nga Rahoveci, Anton Jupa ka thënë se kompania e tij nuk ka importuar asnjëherë mish nga Belgjika.
“Jo [nuk kemi importuar]”, ka thënë Jupa për Insajderin.
Drejtori i kompanisë “Euro Ida”, i pyetur nga Insajderi për importin që kompania e tij ka realizuar nga “Veviba”, ka folur për një skandal mishi, që sipas tij, kishte shpërthyer në Belgjikë “rreth 7-8 muaj më parë”.
“Edhe unë jam në ngjarje, por kjo [skandali] ka ndodhë rreth 7-8 muaj më heret, në mos gabofsha. Nuk e di nëse është skandali i Vevibas, por në Belgjikë ka pasur skandal para 7-8 muajve”, deklaroi Jupa.
Madje, Jupa ka thënë se edhe autoritetet dhe mediat në Kosovë janë penduar “që e kanë bërë të madhe skandalin e mishit belg”.
“Ama kurgjo nuk ka qenë ajo, sepse këta tonët i kanë rënë pishman që e kanë bërë të madhe këtë punë”, tha për Insajderin, drejtori i kompanisë kosovare “Euro Ida”.
Ai ka thënë se kompania e tij bashkëpunon me Brazilin dhe Poloninë, për importin e mishit në Kosovë.
Mishi që ishte eksportuar nga kompania belge Veviba për në Kosovë ndonjëherë kishte qenë me afat të skaduar prej 12 vitesh.
Hetimi ndaj kompanisë kishte nisur pasi Dogana e Kosovës në shtator të vitit 2016 kishte asgjësuar 20 ton mish, pasi një sasi e madhe e saj kishte qenë e prishur.
Kjo kompani kishte eksportuar mishin e saj në Kosovë edhe para se të asgjësoheshin 20 tonët e mishit të prishur nga Dogana e Kosovës.













