Gashi propozohet për ministër të MPB-së? – Zyrtarët e AKR’së nuk ia kanë idenë për vendimin e presidentit Pacolli

Portali i afërt me sekretarin e Aleancës Kosova e Re, Rrahim Pacolli, ka raportuar se eksperti i çështjeve të sigurisë, Bejtush Gashi është propozuar si pasardhës i Flamur Sefajt në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme – transmeton Periskopi. Arbresh.info raporton se Gashi ka marrë përkrahjen e njerëzve të rëndësishëm brenda kësaj partie. Për […]
Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar dhjetëra herë zyrtarët e AKR’së, disa prej të cilëve nuk janë përgjigjur fare, e disa të tjerë nuk ia kanë pasur idenë për këtë propozim të Gashit për Ministër të Punëve të Brendshme.
Kryetari i Partisë, Behgjet Pacolli, nënkryetari Agim Bahtiri dhe sekretari i partisë, Rrahim Pacolli, nuk u janë përgjigjur thirrjeve të vazhdueshme të Periskopit.
Në anën tjetër, sekretari i Përgjithshëm i partisë, Vesel Makolli, ka thënë për Periskopin se një vendim i tillë ka qenë në duart e presidentit Pacolli.
Ai ka thënë se nuk ka njohuri nëse shefi i partisë ia ka propozuar këtë emër të parit të Qeverisë, Ramush Haradinaj.
I painformuar për këtë çështje ka thënë të jetë edhe zyrtari tjetër i AKR’së, Fatmir Matoshi.
Ai thotë se ka respekt për Gashin, por nuk e di nëse ai është propozuar për postin e ministrit të Punëve të Brendshme.
Njëjtë është përgjigjur edhe këshilltari i Pacollit, Jetlir Zymberaj, i cili ka kërkuar që të kontaktohet Agim Bahtiri për këtë çështje.
E duket se i vetmi që ka njohuri për këtë propozim është kryetari i partisë, Behgjet Pacolli, i cili edhe ka marrë vendimin.
Pak më parë në media u raportua se Bejtush Gashi, i cili kishte qenë zëvendësministër i Ministrisë së FSK’së, pritet që nesër të emërohet edhe zyrtarisht nga kryeministri Haradinaj në këtë pozitë.
U tha se AKR sot pasdite e ka dërguar emrin e Bejtush Gashit në zyrën e kryeministrit Haradinaj.
Për këtë çështje, Periskopi ka kërkuar përgjigje edhe nga Zyra e Kryeministrit.
Shefi i Zyrës për Informim në Qeverinë e Kosovës, Halil Matoshi dhe zëdhënësja Donjeta Gashi, nuk janë përgjigjur, pavarësisht disa insistimeve.
Para disa ditësh kryeministri Haradinaj kishte shkarkuar ministrin nga radhët e AKR-së, Flamur Sefaj, për shkak të skandalit me deportimit e gjashtë ‘gylenistëve’ për në Turqi./Periskopi













