Deklaratat e pushtetit për gjyqtarët e prokurorët serbë e sjellin urgjentisht në Prishtinë Emisarin e dialogut

Deklaratat e pushtetit për gjyqtarët e prokurorët serbë e sjellin urgjentisht në Prishtinë Emisarin e dialogut

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në mes të qershorit kërkoi nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial që të miratojnë dorëheqjet e prokurorëve e gjyqtarëve serbë, të cilët ishin dorëhequr në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Ata më pas kishin tërhequr dorëheqjet e tyre, por Këshilli Prokurorial refuzoi kërkesën e prokurorëve.


KPK ia dërgoi Haxhiut për dekretim vendimin për lirimin nga detyra të tyre, e cila e dekretoi menjëherë. Ky vendim i Haxhiut u kritikua nga Bashkimi Europian, shkruan Express, transmeton Periskopi.

Njësoj si KPK po i kërkohet të veprojë edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga krerët në detyrë të Kosovës.

Dy ditë më parë, presioni ndaj KGJK’së filloi nga disa deputetë të zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Aty [në KGJK] jane 10 shqiptare, qe nuk ish dashte as me bo teme, leje mo m’i lon m’u kthy ne pozita. Po du me besu qe s’ka shqiptar qe ja bon argatin Vuqiqit”, shkroi deputetja e zgjedhur Adriana Matoshi të enjten, një ditë para mbledhjes së KGJK’së.


Ndaj reagimeve të tilla të zyrtarëve të Vetëvendosjes reagoi Bashkimi Europian, i cili kërkoi të mos ushtrohet presion në vendimmarrje KGJK’së.

“BE-ja në Kosovë u bën thirrje të gjitha subjekteve politike të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe anëtarëve të tij në procesin e vendimmarrjes. Një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është thelbësor për sundimin e ligjit në BE dhe në Kosovë”, tha Zyra e BE’së në Kosovë.

Këtë thirrje përveçse e injoroi, Haxhiu të nesërmen iu çoi edhe mesazh “partnerëve ndërkombëtarë”.

Të premten me mëngjes, u.d. presidentja pasi njoftoi se e ka caktuar 5 gushtin si datë për mbajtjen e seancës konstituive, u ndal më gjatë te kjo temë.

Konferencën ajo e thirri pak orë para mbledhjes së KGJK’së ku në rend dite ishte kërkesa e saj për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë.

Fillimisht, Haxhiu duke iu referuar “të dhënave” që ka në dispozicion për gjyqtarët e prokurorët serbë sikurse edhe stafin mbështetës administrativ, tha se “pjesa dërmuese e tyre kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë mjete financiare nga Serbia në forma të ndryshme që nga viti 2017 e deri më tani”.

“Pra edhe gjatë kohës sa ata kanë qenë prokurorë e gjyqtarë janë paguar nga Serbia. Lojaliteti i treguar për Serbinë është shpërblyer edhe me mjete financiare në kohën kur është pritur që të njëjtit të ushtrojnë mandatin e tyre në dobi të qytetarëve”.

Pas kësaj deklarate, Haxhiu e orientoi vëmendjen te mbledhja e KGJK’së.

“Sytë tanë janë te Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse nëse KGJK vepron në kundërshtim me legjislacionin në fuqi atëherë këtu kemi të bëjmë me një precedent shumë të rrezikshëm dhe me një abuzim të përgjegjësive që ata kanë. I bëj thirrje edhe njëherë që të zbatojë legjislacionin në fuqi dhe të mos bie pre e ndikimeve të askujt, as ato vendore dhe as ato ndërkombëtare. Pra, mua më pamundësohet që ata gjyqtarë t’i lirojë nga detyra sepse KGJK s’po vepron”, tha Haxhiu në konferencë.

Duke mohuar se deklaratat e saj përbëjnë presion për KGJK’në, Haxhiu tha se e shqetëson “presioni” që anëtarëve të KGJK’së iu vjen nga ndërkombëtarët.

“Ajo çka më shqetëson është presioni që mund t’i vije nga partnerët tonë ndërkombëtarë. Unë kam pasë takime me ta dhe ua kam thënë hapur përgjegjësitë e mia kushtetuese – njësoj duhet ta bëjnë edhe anëtarët e Këshillit Prokurorial dhe ata të Këshillit Gjyqësor. Vetëm të bazohen në ligj. Situata këtu është e pastër, e qartë. S’ka mundësi interpretimi”.

Më pas, ajo iu drejtua ndërkombëtarëve.

“Kush nga partnerë tanë, që sot bëjnë presione mbi këshillat, kush nga ta do lejonte që në shtetet e tyre të kishte gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër? Kush nga partnerët ndërkombëtarë, që ne na thërrasin gjithnjë për sundim të ligjit dhe pavarësi të sistemit të drejtësisë, do të kërkonte nga gjyqtarët dhe prokurorë që janë anëtarë të këshillave të vendoste diçka që është në kundërshtim me legjislacionin?”.

Debat për këtë çështje u zhvillua në mbledhjen e KGJK’së, e cila përfundoi pa rezultatin që e kërkoi me ngulm Haxhiu.

Mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës u shty për shkak të mungesës së kuorumit pasi disa anëtarë kanë lëshuar takimin.

Para se të ndodhte kjo, kryesuesi Rrustem Thaqi pati një debat me anëtarin e KGJK’së, Bashkim Hyseni, i cili i tha atij se ka përgjegjësi për këtë çështje. Por, Thaqi tha se këtë çështje e ka aktualizuar u.d. presidentja dhe se këtë ka mundur ta ngrisë atë edhe Hyseni.

Çka tha Kurti më pas?

Në nisje të mbledhjes së qeverisë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, foli për këtë çështje.

Ngjashëm si Haxhiu edhe Kurti kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të veprojë njëjtë sikurse Këshilli Prokurorial përkundër thirrjeve të Bashkimit Europian për të mos ushtruar presion në vendimmarrjen e Këshillit.

“Këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës e ditë më parë edhe KPK. Ndërsa sot teksa prisnim që edhe KGJK të vepronte njësoj, kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të atillë edhe kjo çështje”, tha Kurti.

“Kishim të drejtë politike t’iu thoshim mos shkoni, por s’kemi të drejtë kushtetuese e ligjore t’iu themi kthehuni. Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar, po kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese”, tha Kurti, duke shtuar: “Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset Kushtetutës e ligjit”.

Këto zhvillime e sollën urgjentisht në Prishtinë emisarin e dialogut, Peter Sorensen, në një vizitë të paparalajmëruar.

Për të njoftoi Zyra e Kryeministrit pasi Kurti e kishte pritur në një takim pasdite vonë.

“Duke iu përgjigjur të dërguarit Sorensen lidhur me çështjen e ngritur prej tij për kthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë të dorëhequr, Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës afirmon dhe insiston në kushtetutshmëri dhe ligjshmëri, barazi të qytetarëve e përfshirje të të gjitha komuniteteve. Të punësuarit në institucionet e Republikës, janë dhe duhet të jenë nga të gjitha etnitë, e të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin e prokurorinë e shtetit. Dorëheqjet kolektive të para katër viteve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik. Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë”.

Vetë Sorensen ende s’ka njoftuar për këtë takim me Kurtin.

Të ngjashme
Moti sot me diell e vranësira, maksimalja deri në 26 gradë

Moti sot me diell e vranësira, maksimalja deri në 26 gradë

Mbi një vit e gjysmë pa asnjë gjurmë, ende nuk dihet fati i veteranit të UÇK-së nga Hasi

Mbi një vit e gjysmë pa asnjë gjurmë, ende nuk dihet fati i veteranit të UÇK-së nga Hasi

IHMK: Mesatarja mujore e temperaturave gjatë korrikut në Kosovë është 21.4 gradë Celcius

IHMK: Mesatarja mujore e temperaturave gjatë korrikut në Kosovë është 21.4 gradë Celcius

Çitaku: Në takimin e Hamzës me Kurtin s’ka pasur fare hapësirë për diskutim

Çitaku: Në takimin e Hamzës me Kurtin s’ka pasur fare hapësirë për diskutim

Ramush Haradinaj: Jam i gatshëm të pranojë që të kandidohem nga opozita për president, jo në marrëveshje me VV’në

Ramush Haradinaj: Jam i gatshëm të pranojë që të kandidohem nga opozita për president, jo në marrëveshje me VV’në

Karim Khan shkarkohet nga posti i kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare

Karim Khan shkarkohet nga posti i kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare

Tragjedia në Roskovec, vdes edhe e moshuara që u qëllua me armë nga ish-dhëndrri

Tragjedia në Roskovec, vdes edhe e moshuara që u qëllua me armë nga ish-dhëndrri

Sekuestrohen mbi 5 mijë boksa cigare në Bërnjak

Sekuestrohen mbi 5 mijë boksa cigare në Bërnjak

Kaq po presin mërgimtarët në pikat kufitare

Kaq po presin mërgimtarët në pikat kufitare

Gjithçka gati për super duelin Joshua – Prenga, përfundojnë matjet zyrtare

Gjithçka gati për super duelin Joshua – Prenga, përfundojnë matjet zyrtare

Sezona e dasmave: ATK del me parlajamërim për restorantet, frizerkat e këngëtarët

Sezona e dasmave: ATK del me parlajamërim për restorantet, frizerkat e këngëtarët

Policia e Kosovës: Esat Shala është intervistuar si i dyshuar pasi personi që e ka përmendur ndihet i kanosur

Policia e Kosovës: Esat Shala është intervistuar si i dyshuar pasi personi që e ka përmendur ndihet i kanosur

0:000:00