Trump “shpall” rikthimin në luftë: Marrëveshja me Iranin mori fund, humbje kohe të merresh me ta me diplomaci

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se beson se Memorandumi i Mirëkuptimit me Iranin “ka marrë fund”, pas një serie sulmesh në të gjithë rajonin.
“Është humbje kohe të merresh me ta”, tha Trump në samitin e NATO-s, raporton CNN, transmeton Periskopi.
Kjo ishte shenja më e qartë deri tani se marrëveshja e Trumpit është pothuajse shembur. Komentet e fundit të presidentit amerikan erdhën pasi Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike tha se ka kryer sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane në të gjithë Bahreinin dhe Kuvajtin, në përgjigje të sulmeve amerikane ndaj Iranit.
Trump i sulmoi liderët e Iranit duke i cilësuar si “njerëz të këqij e të sëmurë”, ndërsa marrëveshja e tij paraprake me Teheranin duket se po shkon drejt dështimit.
Duke folur në hapje të samitit të NATO-s në Turqi, Trump e quajti Iranin “lojtar i fëlliqur” pasi shënjestroi anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit, duke shkelur armëpushimin.
Trump tha se SHBA-ja po humbte kohë duke biseduar me Iranin dhe shprehu dëshirën që “ta bëjmë punën tonë” në vend që të përpiqet të ndjekë diplomacinë.
“Duhet ta heqim kancerin e tyre, kancerin e tyre”, tha ai. “Dhe e dini çfarë bëni? Duhet ta prisni kancerin herët. Dhe kështu ndihem unë”.











