Tragjedia në Gllogjan: Halil Mehmetaj akuzohet se i shtyu djemtë drejt vrasjes

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan i atribuon një rol të veçantë Halil Mehmetajt, i cili akuzohet për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.
Halil Mehmetaj dyshohet se, në periudhën nga 14 qershori 2020 deri më 26 nëntor 2021, i ka shtyrë djemtë e tij, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, që ta vrisnin Gani Gjokajn, të cilin, sipas aktakuzës, e fajësonte për vetëvrasjen e vajzës së tij, Heroina Mehmetaj.
Në dokument thuhet se Halil Mehmetaj e kishte shprehur hapur bindjen se Gani Gjokaj ishte përgjegjës për vdekjen e vajzës së tij dhe se ishte betuar për hakmarrje.
Prokuroria përmend edhe ceremoninë e varrimit të Heroinës, ku, sipas aktakuzës, ai kishte vendosur orën e tij të dorës mbi arkivol, duke e cilësuar këtë si pjesë të rrethanave që lidhen me motivin e pretenduar.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, kjo shtytje ka rezultuar me vrasjen e shoferit të autobusit Gani Gjokaj, por edhe me vrasjen e dy të miturve, Ledion Hamzaj dhe Genta Mustafaj, si dhe plagosjen e rëndë të Fliant Turkajt, ndërsa janë rrezikuar edhe pasagjerët e tjerë që ndodheshin në autobusin “Erblini” natën e 26 nëntorit 2021.
Për këto pretendime, Prokuroria e ka akuzuar Halil Mehmetajn për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”, ndërsa ndaj Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajt është ngritur aktakuzë për “Vrasje të rëndë” si bashkëkryerës.











