BE thirrje liderëve në Serbi të përmbahen nga retorika nxitëse pas deklaratës së ministres serbe për “spastrim etnik” në Kosovë

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që politikanët në Serbi të përmbahen nga deklarata nxitëse dhe të respektojnë detyrimet nga normalizimi i raporteve me Kosovën. Këtë e ka thënë zëdhënësja për politikë të jashtme e BE-së, Anita Hiper, duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me një deklaratë të ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, se ajo, sikur të ishte në pozitën e Slobodan Millosheviqit, “do të bënte pastrim etnik në Kosovë”.
KOHA ka pyetur në Komisionin Evropian nëse një deklaratë e tillë është në përputhje me vlerësimin pozitiv që ka bërë Komisioni Evropian për Serbinë dhe me vlerësimin se Serbia po sillet në mënyrë konstruktive edhe në dialog për normalizimin e raporteve me Kosovën.
“Ne nuk duam të komentojmë komentet. Por jam e lumtur t’ju jap pozicionin tonë kryesor dhe parimin kyç se nuk duhet të ketë vend në Evropë për retorikë, justifikim apo avokim të pastrimit etnik”, është përgjigjur Anita Hiper.
“Deklaratat e tilla janë në kundërshtim me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimin, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat është ndërtuar BE-ja. Ato shkojnë edhe kundër obligimeve që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Kosovën. Pra, ne presim nga të gjithë liderët që të përmbahen nga çfarëdo retorike nxitëse dhe të japin kontribut për një ambient të besimit dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë kjo zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Nga Komisioni Evropian kanë thënë se vlerësimin e fundit pozitiv që kishin bërë për Serbinë e kishin bërë mbi kushtet specifike për grup-kapitullin 3 dhe me këtë vlerësim nuk kanë thënë se “gjithçka është në rregull në Serbi”. Por pikërisht në atë vlerësim, me të cilin Komisioni Evropian ka tentuar t’i bindë shtetet e BE-së që të hapin kapituj me Serbinë, është dhënë edhe vlerësimi pozitiv për angazhimin e Serbisë në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën.
BE vazhdimisht ka bërë thirrje që të mos mohohet gjenocidi, të mos relativizohen krimet e luftës dhe të mos glorifikohen kriminelët e dënuar për krime lufte. Por, përkundër kësaj, BE nuk ka ndërmarrë masa ndaj atyre personave që mohojnë gjenocidin dhe relativizojnë krimet e tilla./Periskopi











