I hodhi benzinë vetes duke refuzuar arrestimin, arrestohet edhe nëna e 16-vjeçarit në Ferizaj

Policia e Kosovës doli me një komunikatë të re për rastin e plagosjes më thikë të dy personave sot në mëngjes në Ferizaj nga një 16-vjeçar, i cili si i mitur u ndalua për 24 orë më pas.
Policia tha se reagoi menjëherë pasi u informua se një person po sulmonte qytetarët me thikë në Ferizaj dhe në vendngjarje kishin konstatuar se një person kishte pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë, ndërsa një qytetar tjetër kishte pësuar lëndime trupore gjatë tentimit për t’u larguar nga i dyshuari, ndërsa i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Hetuesit Rajonalë në Ferizaj, të mbështetur nga njësitet tjera, kanë ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin e tij. Pas kontrollit në banesën e të dyshuarit dhe më pas në një adresë në fshatin Greme, policia ka arritur ta lokalizojë atë.
Me të arritur në vendngjarje, i dyshuari ka refuzuar t’u bindet urdhrave policorë, duke mbajtur një thikë në dorë, ka sulmuar zyrtarët policorë me gurë dhe mjete të forta, si dhe është vërsulur ndaj tyre me thikë.
Gjatë ndërhyrjes, nëna e tij ka penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare.
Në një moment, i dyshuari ka marrë një shishe me benzinë dhe ia ka hedhur vetes mbi trup, duke vazhduar t’i kërcënojë policët me thikë dhe duke mos lejuar afrimin e tyre, thotë policia.
Gjatë përpjekjeve për vënien e tij nën kontroll, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ndërsa njëri prej tyre është goditur me thikë në pjesën e qafës.
Pas ndërhyrjes policore, i dyshuari me inicialet P.GJ (16 vjeç) është vënë nën kontroll dhe është arrestuar së bashku me nënën e tij D.GJ (47 vjeçe).
Gjithashtu është sekuestruar edhe thika, e cila dyshohet se është përdorur në sulmin ndaj qytetarëve.
Me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari është ndaluar për 24 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./Periskopi/











