Lushi: Specialja po bën politikë, u bëj thirrje partive që Hashim Thaçin ta zgjedhin president

Ish-eprori i UÇK-së, Uk Lushi, ka kritikuar Gjykatën Speciale për shtyrjen e vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ka bërë me dije se me këtë veprim Specialja ka treguar hapur se po bën politikë.
Në profilin e tij në Facebook, Lushi ka shkruar se kjo gjykatë po mundohet t’ia ndalojë politikën Hashim Thaçit.
“Gjykata Speciale me shtyerjen e verdiktit lirues për Presidentin Hashim Thaçi et al. për shtator 2026 ka treguar haptas që po bën politikë. Specialja po mundohet t’ia ndalojë politikën Hashim Thaçit. Trupi Gjykues i Speciales e di që verdiktet fillojnë e shkruhen prej ditës së parë të një gjykimi dhe mund të përfundohen brenda ditësh pas fjalëve përfundimtare. Koha nuk është justifikim më”, ka shkruar ai, duke shtuar se Thaci duhet të bëhet president.
“U bëj thirrje VV-së, LDK-së, AAK-së, PDK-së dhe partive të pakicave në Kuvendin e Kosovës të zgjedhin Hashim Thaçin President sepse Specialja po sfidon shtetin e Kosovës duke u vendosur mbi shtetin. Sidomos Albin Kurti dhe VV e kanë rastin të tregojnë që ishin dhe janë kundër Speciales që ka kapur drejtësinë dhe shtetin. Le ta propozojnë Thaçin për President. Dhe mandej Specialja le të urdhërojë e dënojë Hashim Thaçin si President”, ka shkruar ai.












