Joseph kritikon klasën politike për mungesë konsensusi: Kurti mban përgjegjësinë kryesore

Profesori amerikan, Edward P. Joseph, ka kritikuar klasën politike në Kosovë për mungesën e konsensusit institucional.
Sipas tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti mban përgjegjësinë kryesore, pasi udhëheq shumicën parlamentare, por sipas tij, përgjegjësi kanë edhe të gjithë liderët e tjerë politikë.
“Nëse liderët politikë, dhe përsëri po flas në shumës, nuk po them vetëm që kryeministri Kurti ka përgjegjësi, ai ka përgjegjësinë kryesore, sepse kontrollon shumicën e votave në Parlament dhe ky është një vendim parlamentar. Por, të gjithë ata mbajnë përgjegjësi dhe votuesit, do ta them këtë, votuesit duhet t’i ndëshkojnë të gjithë liderët politikë që nuk gjejnë një konsensus, sepse kjo po e dëmton vendin”, tha ai.
Ai vlerësoi se situata aktuale nuk e cenon stabilitetin e Kosovës, por dëmton zhvillimin demokratik të vendit.
“Stabiliteti është një pyetje, ndërsa zhvillimi demokratik, këto janë dy gjëra të ndryshme. Nuk besoj se kjo ndikon në stabilitet dhe nuk do të doja ta thosha këtë, sepse besoj se Kosova është një vend i qëndrueshëm dhe një demokraci e qëndrueshme”, deklaroi profesori.
Megjithatë, Joseph tha se bllokada politike përbën një sinjal negativ për demokracinë.
“Republika e Kosovës është e tillë dhe unë e mbështes atë, si dhe mbështes hyrjen e Kosovës në NATO, për të cilën kam qenë një nga mbështetësit më të fortë. Për sa i përket zhvillimit demokratik, është e tmerrshme, është e qartë, përgjigjja është e qartë, ky nuk është një shembull i mirë i zhvillimit demokratik dhe duhet ta theksojmë këtu, ky nuk është si një ngërç tipik parlamentar, siç pati njëherë Belgjika, një ngërç njëvjeçar. Atë situatë e ke kur ke një shumicë shumë të ngushtë, por këtu keni një parti që ka një aftësi të qartë”, u shpreh ai.











